Ndalohet personi i tretë i ngjarjes në Bllok, një nga personat në kërkim që u kap dje në Kakavijë në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Policia e Tiranës deklaron zyrtarisht se është ndaluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Gjirokastër shtetasi Geldo Hoti, 37 vjeç, banues në Tiranë.
Hoti është i përfshirë në konfliktin e ndodhur në një lokal në mbrëmjen e datës 05.09.2018, ku mbeti i vrarë shtetasi Fabian Gaxha dhe u plagosën shtetasit Ervis Martinaj dhe Eljon Hate.
Hoti sipas policisë dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri gjatë konfliktit dhe ndaj tij rëndojnë të njëjtat akuza si ndaj Ervin Matës, Meviol Bilos dhe Fabio Allushi, të cilët janë ende në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Policia ndërkohë ka arrestuar në spital dy personat që mbetën të plagosur në konfliktin në Bllok. Ngjarja dyshohet se ndodhi pas një ngacmimi të këngëtares Elvana Gjata, e dashura e Ervin Matës por nga ana tjetër thuhet se mes dy grupeve kishte përplasje të tjera./korrieri