Del momenti i ndalimit në hotel të reperit të njohur Arkimed Lushaj i njohur si Stresi. I shtrirë në krevat, përmbys, gati nudo policët i vënë prangat Stresit që është kapur totalisht në befasi nga operacioni i policisë në një dhomë hoteli në Linzë.
Stresi u arrestua si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës dhe krimeve kundër personit.
Arrestimi u bë nga njësia Hetimore e Task Forcës Speciale Vendore Tiranë në Departamentin e Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr 1972 datë 17.10.2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Ndalimi i Arkimed Lushajt u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.
Gjatë arrestimit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Bashkë me Stresin ka qenë dhe 20-vjeçarja me inicialet P.Ç. e cila është në ndjekje penale për ‘moskallëzim krimi’./korrieri