Gjatë një takimi të zhvilluar me gratë e Elbasanit kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka lëshuar disa akuza në drejtim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Sipas Ballës, Lulzim Basha ka bashkëpunuar me persona me të shkuar kriminale në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, madje sipas tij i nxori dhe nga burgu për t’i përdorur për intimidimin e socialistëve dhe qytetarëve të Elbasanit.
“Pjesa më e madhe e këtyre kompanive, sikurse e tha dhe Kryeministri në Kuvend ishin persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale. Ja ku ndahen ata që seriozisht e kanë betejën me krimin dhe ata që krimin e kanë thjeshtë dhe vetëm një alibi për si kanë bashkëpunuar ata me krimin. Nuk është larg 2009 dhe Elbasani e di fare mirë se si bashkëpunoi Lulzim Basha me persona me të shkuar kriminale, madje i nxori dhe nga burgu për t’i përdorur për intimidimin e socialistëve dhe qytetarëve të Elbasanit. Kjo është e vërteta e madhe”, – u shpreh Balla./atsh