Loading...

Album me 200 fotografi Shqiptare nga Fatjon Plaku !

Përgatitja e një albumi me mbi 200 fotografi origjinale ka qenë vazhdimisht një ëndërr e imja, përfundimi i së cilës më bën të ndjehem i realizuar dhe krenar që jap kontributin tim modest në promovimin e vlerave të Shqipërisë në këndvështrimin e bukurisë dhe pasurisë natyrore, trashëgimisë kulturore dhe të identitetit kombëtar. Unë besoj se ky album është një risi për prezantimin e natyrës shqiptare ndaj turizmit të aventurës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Më quajnë Fation Plaku, i apasionuar pas sportit të alpinizmit, eksplorimit, aventurës dhe fotografisë, prej më shumë se 20 vjetësh. Jam krenar me arritjet e mia, ku vlen të përmenden ngjitja në majën e Everestit, në Himalajë në 2012, në kuadrin e Jubileut të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ëndrra ime është të ngjis 7 majat e kontinenteve, ku deri tani kam ngjitur 4 prej tyre.

Në Shqipëri jam ngjitur jo vetëm në shumicën e majave më të larta, por kam zbuluar në këtë rrugëtim vende të një bukurie natyrore të rrallë të tokës, detit, ajrit dhe të trashëgimisë kulturore, të cilat jam përpjekur t’i pasqyroj tek ky album fotografish.

Për ta bërë të prekshme këtë ëndërr, në harkun e rreth gjashtë viteve kam investuar në kohë, në punë, në pajisje, në mendim estetik, në emocion dhe në krijimin e një marrëdhënie të veçantë të dashur dhe të ngrohtë me natyrën dhe trashëgiminë kulturore.

Me anë të albumit dëshiroj të ndërtoj një urë për të kaluar këtë emocion tek ju, për ta ndarë dhe ndjerë së bashku.

* * *

“Me fotot e tij, Fation Plaku na ka bërë një dhuratë të rrallë. Ai nuk ka dashur kurrsesi t’i mbajë për vete përjetimet e tij, por na merr për dore dhe na çon në një Shqipëri tjetër, të dëlirë, vezulluese, të pastër, ndryshe nga ajo që përjetojmë përditë në qytete, qyteza e fshatra të mbushura me zhurma e ndotje, klithma politike, shikime të inatosura e rrëmujë urbane.

Nganjëherë, ajo duket fort e ashpër, por gjithherë e bukur dhe e drejtë – njësoj si një zonjë hijerëndë e maleve ku ka shkelur këmba e Fationit dhe e shokëve të tij.”

Fatos Baxhaku.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com