Loading...

Adriatik Llalla në Tiranë, kafe me Rovena Gashin dhe deputetin Enkelejd Alibeaj, Prokuroria nuk e thërret për ta pyetur. Komunikon përmes avokatit

Ish Kryeprokurori Adriatik Llalla ka qënë në Tiranë dhe më saktë në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, përballë Liceut Artistik tek “Rruga e Elbasanit”.

I kollarisur sikur të ketë qënë në ndonjë takim të rëndësishëm zyrtar, Llalla ka dalë nga lokali përballë Liceut ku e priste makina e tij e ndezur.

Ish kryeprokurori ka qënë i shoqëruar nga ish ministri i Drejtësisë dhe ish deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili tre orë më vonë doli në konferencë shtypi për të shpjeguar  “Babalen”.

Vetëm një minutë pasi u largua Llalla bashkë me një mikun e tij me makinë, dhe Alibeaj në anën tjetër vetëm, nga i njëjti ambient ka dalë ish Drejtoresha e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe ish Drejtuesja e Dekriminalizimit, Rovena Gashi.

Nuk kemi asnjë informacion në lidhje me bisedën që kanë pasur mes tyre, por fakti është se ish kryeprokurori Adriatik Llalla ka një kallzim penal për katër akuza të rënda dhe është nën hetim.

Akuzat ndaj tij janë ato të refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim; mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi; pastrimit të produkteve të veprës penale(pastrim parash) dhe shpërdorimit të detyrës.

Dhe menjëherë sapo u njoh me akuzat e rënda ndaj tij, Llalla lëvizi në drejtim të Gjermanisë, ku është sistemuar familjarisht, duke blerë banesë dhe regjistruar fëmijët në shkollë.

Pasi kërkoi me insistim por pa sukses nga ambasada gjermane në Tiranë zgjatjen më tej të lejes së qëndrimit në Gjermani, Adriatik Llalla qëndroi për një kohë të gjatë në këtë vend të BE, por duke tentuar të përcjellë tek organet ligjzbatuese dhe qytetarët alibinë, se po jeton në Turqi.

Duke qënë se asnjëherë nuk është paraqitur në Prokurori për të dëshmuar për akuzat e ngritura ndaj tij si person nën hetim, Llalla përmes prokurave në gjuhën turke ka arsyetuar jo vetëm mosparaqitjen e tij para organit të akuzës, por ka tentuar të ngrejë dhe alibinë se po jeton në Turqi.

Megjithatë ish Kryeprokurori, i cili është nën hetim për akuza të rënda, të cilit edhe i janë sekuestruar nga organet ligjzbatuese 1 miliardë lekë pasuri, e ndan jetën mes Tiranës dhe Gjermanisë.

Dje Lalla ka qënë në Tiranë, ndërkohë që Prokuroria shqiptare për akuzat që ka në ngarkim, asnjëherë nuk e ka thirrur, por ka vendosur një raport komunikimi përmes avokatit.

Mësohet që dhe në ditët në vijim ish kryeprokurori do të qëndrojë në Tiranë, por nga organi i akuzës dhe Arta Marku nuk ka asnjë sinjal që të tregojë se do ta thërrasë Llallën për të dëshmuar, si person nën akuzë për pastrim parash dhe vepra të tjera të rënda penale.

Do të ishte e udhës që komunikimi përmes “telefonit të prishur” mes Prokurorisë dhe Llallës nën hetim të merrte fund, pasi do ishte një sinjal i qartë që, përballë ligjit janë të gjithë të barabartë./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com