Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës, që ka në pronësi hotel “Victoria”, ka përdorur biznesin e tij për disa takime sekrete të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në hotelin që gjendet në Rrugën e Dibrës, gjatë periudhës 2015-2018 kanë shërbyer për mbi 50 takime të zyrtarëve të lartë të Shërbimit Sekret Shqiptar me homologë të tyre të shërbimeve partnere.
Këto të dhëna janë organizuar me fonde shtetërore dhe gjenden të publikuara në portalin informativ “Spending data.al”. Rezulton se Apartati Qendror i Shërbimit Informativ Shtetëror, për periudhën 2015-2018, ka zhvilluar plot 53 aktivitete në hotel “Victoria”, pjesa më e madhe të shoqëruara me shënimin “pritje delegacioni klasifikuar sekret” ose “pritje delegacioni klasifikuar konfidencial”.
Shumat e depozituara nga Shërbimi Informativ për llogari të hotel “Victoria” nuk mund të vlerësohen të konsiderueshme-në total, vlera e fondeve publike të këtij institucioni për hotelin e Elvis Mata llogariten në një total prej 2 milionë lekësh të reja në 3 vjet.
Por, nga ana tjetër, fakti që Shërbimi Informativ ka pasur bashkëpunim për të paktën 50 herë me hotelin e Ervis Mata është një dëshmi se drejtuesit e tij, ambjentet dhe personeli kanë qenë të sigurt për zhvillimin e takimeve sekrete të drejtuesve të lartë të spiunazhit shqiptar me bashkëpunëtorët e tyre të huaj.
Ervin Mata, deri në mesjavë, njihej si një biznesmen i madh në Tiranë dhe që ishte i dashuri i këngëtares së njohur, Elvana Gjata. Gjithësesi, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), ai rezulton se është pronar i kompanisë “Computer City”, e cila është pezulluar prej vitit 2014 dhe aktualisht është në fazë likujdimi.
Ndërkohë, hotel “Victoria” është në pronësi të babait të tij, gjithnjë sipas dokumentave zyrtrë të QKR-së. Pra, Ervin Mata, pavarësisht se njihet si “biznesmen i suksesshëm” dhe për jetën e tij luksoze, në fakt, sipas dokumentave zyrtarë, nuk rezulton të ketë në pronësi të tij aktiviteve që i lejojnë shpenzime të mëdha.
Fakti që Ervin Mata jeton në mënyrë luksoze, ndërkohë që ai vetë nuk rezulton zyrtarisht të ketë të ardhura që e justifikojnë, nuk është konstatuar, me shumë mundësi, as nga Shërbimi Informativ Shtetëror, përsa kohë që hotel “Victorian” e ka vlerësuar si një vend të sigurt ku mund të ndante informacionet me partnerët ndërkombëtarë.
Ervin Mata aktualisht është shpallur në kërkim nga Policia, si një prej personave të përfshirë në ngjarjen e përgjakshme në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vdekur Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato. Bashkë me Matan, në kërkim janë edhe Fabiol Alushi e Mervjol Bilo.
Deri më tani, shkaku zyrtar i konfliktit ndërmjet dy grupeve është ngacmimi që viktima, Gaxha, i ka bërë të dashurës së Ervin Mata, këngëtares Elvana Gjata. Gjithësesi, grupi hetimor nuk ka përjashtuar edhe pista të tjera të mundshme për përplasjen me armë mes tyre. Disa nga personat e përfshirë kanë një skedë të pasur kriminale, si edhe janë persona që njihen si “biznesmenë” ose njerëz që qarkullojnë shumë para në jetën e tyre të përditshme.