Qeveria mori sot vendimin mbi mënyrën se si do të funksionojë shkolla e drejtorëve në arsim, si dhe mënyrën e trajnimit dhe certifikimit të tyre.
Kështu, sipas vendimit të publikuar sot, thuhet se Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar bashkëthemelohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me emërtimin zyrtar “Albanian-American Development Foundation” (AADF).
Kjo shkollë do të funksionojë si një organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, në formën “Qendër”, ku bordi drejtues do të ketë jo më pak se 5 (pesë) anëtarë dhe një drejtor ekzekutiv.
Lidhur me procedurën e emërimit, shkarkimit dhe kompetencave të bordit drejtues dhe të drejtorit ekzekutiv përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, të miratuar nga bashkëthemeluesit e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse. AADF-ja gëzon të drejtën e shumicës së thjeshtë të anëtarëve në bordin drejtues. Kryetar i bordit është njëri prej anëtarëve të emëruar nga ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Pranë kësaj shkolle do të krijohet bordi këshillimor, si një organ konsultativ i drejtorit ekzekutiv, pa funksione vendimmarrëse. Ky institucion do të vlerësojë nevojat për trajnim të drejtorëve, do përcaktojë llojin e trajnimeve, si proces përgatitor për certifikim, trajnim e vazhdueshme, lëshojë certifikatat. Sakaq, kjo shkollë do të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët do trajnohen.
Në vendim thuhet gjithashtu se, kjo shkollë do të monitorojë drejtorët dhe nëndrejtorët në vendet e tyre të punës. Po kështu, do të krijohet rrjeti i drejtorëve dhe nëndrejtorëve të trajnuar nga kjo shkollë. Një pikë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me
homologë të huaj dhe organizma ndërkombëtarë.
Lidhur me kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorëve dhe nëndrejtorët në detyrë, në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, këto do të miratohen nga ministri përgjegjës për Arsimin, pas konsultimit paraprak me Shkollën e Drejtorëve. Trajnimi i drejtorit/nëndrejtorit në detyrë zhvillohet me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna.
Pas kalimit me sukses të provimit përfundimtar, drejtorët dhe nëndrejtorët në detyrë si dhe kandidatët për drejtor/nëndrejtor pajisen me certifikatën për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniveristar, e cila lëshohet nga Shkolla e Drejtorëve.
Të gjitha kostot e trajnimit do të sigurohen nga Ministria Arsimit. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka buxhetin e vet, të cilin e miraton dhe e administron bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve, në përputhje me statutin e saj.
Vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /atsh