NGA SONILA MEÇO
Ndërsa ekranet televizive janë ndarë në 25 pjesë, për të dëgjuar shumë burra e fare pak gra të shkoqisin të vërtetën nga mashtrimi mbi një histori ku janë shkartisur politikanë, deputetë, fëmijë deputetësh, policë, krerë lokalë thelbi i saj është dhuna e përdhunimi i vijueshëm ndaj një vajze 24 vjeçare, jetime, nga Nikla e terrorizuar e braktisur në fatin e vet të keq.Me siguri i ndjek e strukur, duke mbërdhirë prej etheve të ankthit, e terrorizuar, kredhur trupit të drobitur të së ëmës, që një Zot e di si i duron shpirti gjëmën, pas dhunës ndaj së bijës, përgojimin, përdorimin dhe keqtrajtimin publik të dritës së syrit.Për kë të të vijë keq më parë, për Xhiselën (ende nuk ia dimë emrin e saktë, ndoshta më mirë për identitetin e saj), për të ëmën, motrën, për të tjera vajza e gra të Niklës, që mund të jenë dhunuar e përdhunuar po nuk patën guximin të denoncojnë, për vajzat që rrisim në vendin ku dhunuesit mbrohen nga politika, policia, prokuroria, parlamenti, shteti?Kjo është një histori përdhunimi e dhune, para se drejtësia të thotë të vetën dhe pasi të prekurit në histori të kenë ndezur altoparlantë propagande për të devijuar thelbin. Si për ironi të fatit, në Shtetet e Bashkuara, në Komitetin e Drejtësisë të Senatit, po sot u mbajt një seancë dëgjimore e Christine Blasey Ford e cila ka akuzuar të nominuarin për Gjykatën Supreme Brett Kavanaugh për tentativë përdhunimi kur ishin adoleshentë, në vitin e largët 1982.Të dëgjoje sot anëtarë komiteti, shoqëri civile e media gjithçka vërtitej në pasojat e tmerrshme të ngacmimeve seksuale e përdhunimeve. Ky rast, si shumë të tjerë të sjellë në vëmendje nga lëvizja Me Too, sipas reagimeve publike dëshmojnë sa e nënvlerësuar është kjo lloj dhune, që kalon pa u konsideruar. Dhe dalin senatore, që pranojnë se institucionet kanë dështuar, se gratë e vajzat janë braktisur, janë riviktimizuar.
Protagonistja thotë së ndihet e tmerruar, se nuk mban mend detajet, por di se si i ka ndikuar jetën, si i ka shkatërruar pjesë të saj, si po vuan familja e saj tashmë daljen publike të faktit, mes kërcënimeve me vdekje, gjykimit publik, për traumën, që ripërjeton karshi opinionit publik, si e masakrojnë me përcaktime, fyerje e mallkime njerëz, që nuk i ka takuar një herë të vetme në jetë. Edhe atë e akuzojnë, nuk e besojnë, e gjykojnë pa gjyq, e paragjykojnë, e konsiderojnë vegël politike.Dhe kur kjo situatë, e një historie përdhunimi në thelb prodhon këto reagime e deklarata në Amerikë, mund të imagjinoni se ç’do thosh në vend të Christine Flasey Ford, Xhisela e Niklës?Po si ndihet aty në një kënd të dhomës, e braktisur, e përgojuar, e kërcënuar? Një Amerikë e tërë sot dëgjon, si për të parën herë se përdhunimi është i tmerrshëm, shkatërrues. Se akuzat për ngacmime seksuale duhen marrë seriozisht, se ata që bëjnë akuzat meritojnë të dëgjohen seriozisht, të mbrohen, të trajtohen.Imagjinoni Xhiselën, që ka duruar djegien e cigares në lëkurë, të fiktin prej dhunës, ndjesinë e ftohtë të pistoletës në tëmtha e pas kësaj, tërheqjen zvarrë të denoncimit, fyerjen, braktisjen, kërcënimin, intervistat pa shpirt të medias, skërmitjen e dhëmbëve të pushtetit, revanshin e politikës, vrerin e rrjeteve sociale, pasigurinë e agut në prag.Ndaj Xhisela dhe nëna e saj sonte janë dhimbja ime. Çfarë po përjetojnë tani dhe kush i mbron?