Plazhet e qytetit të Vlorës ishin sot në qendër të një aksioni për pastrimin e tyre, në kuadër të ditës ndërkombëtare të pastrimit të plazheve.
Ky askion u organizua nga institucioni i Prefektit, së bashku me bashkinë e Vlorës, si dhe drejtoritë rajonale të qytetit bregdetar.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “ishte një aksion sensibilizues, ku u pastrua një sipërfaqe e gjatë prej 2 km në plazhet e Vlorës dhe një pjesë e pyllit të Sodës”.
“Pas përfundimit të aksionit u hoqën të gjitha mbeturinat e grumbulluara me rreth 200 thasë me plehra nga firma e pastrimit “Duka shpk”, u shpreh Mamaj.
Sipas prefektit, pas këtij aksioni ne do të bëjmë një plan të detajuar për pastrimin e plazheve, që mund të jenë ndotur gjatë sezonit të verës.
“Do të fillojmë të bëjmë pastrime një javore, dy javore dhe një mujore të ndarë sipas institucioneve të qarkut të Vlorës, në mënyrë që të pastrojmë të gjitha plazhet nga mbeturinat e hedhura nga njerëz të papërgjegjshëm”, theksoi Mamaj.
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të pastrimit të plazheve në qytete bregdetare janë organizuar aksione për pastrimin e plazheve./atsh