Loading...

Vlora /Qyteti që mrekulloi me detin dhe bukurinë e tij mijëra turistë

Fundqershori 2018. Rreth 1600 turistë të huaj, kryesisht anglezë, mbërritën në bregdetin e Dhërmiut, në një nga plazhet më të bukura të kësaj zone. Ishte një “mësymje” e pazakontë në numër, në një nga perlat e bregdetit të Jugut.

Për 6 ditë me radhë, ata u bënë protagonistë të një feste tradicionale, të cilën më parë e kishin organizuar në vende të tjera. Edicioni i këtij viti i këtij eventi që emërtohet KALA, i solli në Jug të Shqipërisë. Ishte një festë e jashtëzakonshme, e paprecedent për këtë zonë të bregdetit shqiptar, por jo vetëm.

Për 6 ditë dhe netë me radhë, bregdeti i Dhërmiut, u pushtua nga atmosfera festive, e cila niste në orën 16:00 të pasdites dhe vazhdonte deri në orën 05:00 të mëngjesit të ditës tjetër.

Mijërat e turistëve, nën tingujt e muzikës “live”, me këngëtarë dhe DJ të njohur nga vende të ndryshme të Europës dhe nën shoqërinë e birrës që konsumohej pa fund, përcillnin orët duke kërcyer çift, aty, në atë hapësirë të plazhit “Empire Beach”, të rrethuar nga masa të forta sigurie. Pa u ulur për asnjë çast, ata argëtoheshin e argëtoheshin. Dhe… në mëngjes, të lodhur nga kërcimi dhe alkooli, festuesit drejtoheshin në hotelet përreth, të cilat ishin prenotuar javë më parë, për të pushuar deri në pasdite, kur, gjithçka niste sërish nga fillimi.

Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Netët ngjyroseshin dhe thyheshin nga muzika, dritat e projektorëve dhe entuziazmi i atyre që festonin. Valët e detit në sfond, plotësonin këtë atmosferë, e cila përsëritej çdo natë. Nga data 21 qershor e në vijim, Dhërmiu ishte në festë. Mëngjesin e 27 qershorit, miqtë do të përshëndeteshin me mikpritësit e tyre dhe, të mrekulluar nga gjithçka kishin përjetuar, premtuan se edhe në edicionin e vitit të ardhshëm do të ishin këtu, sërish.

“Ishte një festë, nga ato që dinë të organizojnë vetëm anglezët”, tregon për ATSH-në, Xhevat Shehaj, pronari i plazhit “Empire Beach”, vendi që u shndërrua gjatë një jave në mjedisin e një atmosfere të zjarrtë.

Sipas tij, përgatitjet për këtë ngjarje, kishin nisur muaj më parë. “Më kontaktuan nga Ambasada e Britanisë në Tiranë, për këtë event dhe punonjës të saj erdhën disa herë këtu, në plazh, për të diskutuar për detajet e festës”, përshkruan më tej ai.

Shehaj thotë se, në vigjilje të kësaj ngjarjeje, plazhi u rrethua dhe në hapësirën e tij u instaluan pajisjet gjigante të fonisë. Masat e sigurisë ishin të jashtëzakonshme dhe çdo gjë u organizua në mënyrë perfekte.

“Ishin më shumë se 1600 persona, kryesisht anglezë, por edhe nga ndonjë vend tjetër, të moshës 20 deri në 45 vjeç. Mblidheshin çdo pasdite rreth orës 16:00 dhe festonin deri mëngjesin e ditës tjetër, rreth orës 05:00. Kërcenin dhe pinin birra, ndërkohë që këngëtarë të njohur dhe DJ gjithashtu të njohur, plotësonin këtë festë me muzikë të zgjedhur”.

Kështu e përshkruan atmosferën e këtyre ditë-netëve, Xhevat Shehaj, plazhi i të cilit do të shndërrohet në një referencë të kësaj feste. Ai nuk mund të thotë se cilët këngëtarë, apo DJ, ishin pjesë e këtij eventi, sepse organizatorët nuk dhanë detaje të tilla, por për një gjë është i sigurtë; ishin emra të njohur të muzikës.

Shehaj thotë se, impakti i kësaj feste ishte pozitiv edhe për operatorët e tjerë në zonë, hotelet dhe subjektet e njësitë tregtare, të cilat ishin në funksion të plotë të festës dhe festuesve për 7 ditë me radhë.

Festuesit ngelën të mrekulluar nga vendi, nga natyra, nga bukuria e detit dhe e gjithçkaje. “Më thanë se do të vijnë sërish vitin tjetër”, shprehet Shehaj, i cili thotë se eventi organizohet nga një shoqëri angleze dhe mbështetet nga Ambasada e Britanisë. Ai thotë se, një ngjarje e tillë e madhe për turizmin, nuk u pasqyrua fare nga media shqiptare. Kjo, për të është e pakuptueshme, megjithëse thotë se organizatorët ishin hermetikë në këtë drejtim.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, thotë se, Festa “KALA” e zhvilluar në plazhin “Empire Beach”, në Dhërmi, është një ngjarje e madhe për turizmin në Himarë, por edhe në Shqipëri. Ai sqaron se kjo festë tradicionale e përmasave të mëdha, organizohet në vende të ndryshme, ndërkohë që, për këtë vit, organizatorët britanikë, zgjodhën bregdetin shqiptar. “Ishte një event i jashtëzakonshëm, që ne e mbështetëm me të gjitha masat e nevojshme”, citon Goro, për ATSH-në.

Ai tregon se, gjithë stafi i bashkisë u angazhua për të marrë masat e duhura në përgjigje të kërkesës së Ambasadës së Britanisë, për të zhvilluar këtë festë në bregdetin e Himarës.

“Sugjeruam plazhin “Empire Beach”, një nga investimet më cilësore në zonë, me bindjen se, në këtë mjedis ofrohen standardet e duhura për evente të tilla. Dhe, gjithçka shkoi si s’ka më mirë”, shprehet Goro.

Në reflektim të asaj çka kishin përjetuar, organizatorët garantuan kryebashkiakun Goro se, i njëjti vend do të jetë mjedisi që do të zgjedhin edhe për edicionin e radhës. “Festa KALA, organizuar në bregdetin e Himarës, përbën një krenari për ne dhe është një tregues se gjithçka po shkon në rrugë të mbarë në drejtim të turizmit, pavarësisht se, kjo ngjarje nuk u pasqyrua aspak dhe me asnjë rresht, apo minutë në median e shkruar dhe atë vizive, ndërkohë që, këtë gjë e bënë disa gazeta britanike”, shprehet Goro. Ai shton se, premtimi që morën për ta zhvilluar sërish në të njëjtin vend edhe edicionin e radhës për vitin tjetër, është elementi më kuptimplotë i asaj çka ofron Himara dhe gjithë bregdeti i Jugut, për turizmin.

– Ka plazhe të bukura këtu, në Vlorë, por edhe më tutje, në Himarë dhe Sarandë, – i thoshte shokut të vet nga Parma (Itali), një i ri italian. Ata ishin vendosur në çadrën pranë meje në plazhin “Vajana” dhe unë dëgjoja gjithçka bisedonin mes tyre. Njeri, rreth të 30-ave, i fejuar me një vajzë nga Vlora, ishte vetëm atë të dielë në plazh, për shkak se, shoqen e kishte çuar një ditë më parë në Tiranë. Tjetri, shijonte prej një jave diellin, plazhet dhe detin në Vlorë, ku kishte zgjedhur të kalonte pushimet e këtij sezoni. Të dy, të takuar rastësisht, nuk di se ku, jepnin përshtypjet për Vlorën dhe për vendet e tjera ku kishin qenë.

– Është bukur këtu, në këtë plazh, por edhe tek një tjetër që isha gjatë këtyre ditëve, -përgjigjej bashkëfolësi, pothuajse në të njëjtën moshë, ndërkohë që shkonte njërën dorë në flokët e dendur kaçurrela.

– Nuk e mendoja që Shqipëria do të ishte kështu, kaq e këndshme. Kam takuar edhe të tjerë nga Parma dhe ishin gjithashtu të kënaqur. Diell, plazhe dhe vende të bukura, lokale gjithashtu tërheqëse dhe çmime të lira. Për shkak të lidhjes time, është vera e dytë që vij në Vlorë dhe në Shqipëri, por kënaqësia është e njëjtë. – Ndërsa mundohet të përshkruajë vende e plazhe të tjera, Himarën, Sarandën, bashkëfolësi i parë, tregon se bashkë me të fejuarën e vet nga ky qytet, ndodhet në Vlorë prej muajit qershor. I ka bërë përshtypje numri i madh i bashkëkombasve që vijnë me pushime në Shqipëri. – Në muajin qershor nuk kishte shumë italianë, por në korrik dhe në gusht, kanë ardhur shumë, shumë fare, -vijon ai më tej.

E, ndërsa ndjek me kërshëri bisedën mes tyre, unë ndihem mirë, sigurisht. Çdokush, do të ndihej po njëlloj, teksa nga të huaj dëgjon fjalë të tilla pozitive.

Ndërkohë, dy “komshninjtë e mi, humbasin në tregimet e tyre për gjërat e tjera që kanë parë, për ato që do të shohin, për faktin se, sa afër e kishin këtë vend, por edhe sa larg njëkohësisht.

Më tej, në hapësirën e plazhit modern, të sistemuar bukur, me çadra e shezlonë cilësorë, qindra pushues të tjerë kalojnë orë të këndshme. Mes tyre, ka turistë që vijnë nga Italia, nga Polonia, nga Çekia, Rusia, Maqedonia, Gjermania, Anglia, ashtu si mjaft të tjerë nga Tirana, Vlora sigurisht, apo qytete të tjera shqiptare. Të gjithë bashkë, pushojnë në një copëz vend, pavarësisht shtetësisë e kombësisë, gjuhës e kulturës. Sepse turizmi, resurset e çdo vendi, njerëzit, ndërtojnë ura dhe shembin mure. Ky është realiteti. Ai është shfaqur dhe shfaqet me të gjitha dimensionet në Vlorë dhe, më tej, në të gjithë bregdetin e Jugut.

* * *

Në këtë hapësirë të bregdetit shqiptar, fluksi i turistëve të huaj, ka qenë i pakrahasueshëm këtë verë. Mijëra prej tyre zgjodhën dhe po vazhdojnë të zgjedhin Vlorë, Dhërmiun, Himarën dhe më tej Sarandën, për të kaluar pushimet. Por, ky fluks, ndonëse më i ulët, po vazhdon. Të dielën, në pikën më të bukur të Qafës së Llogorasë, në atë që tashmë emërtohet “Adventure place” (Vendi i aventurës), prej ku lëshohen drejt qiellit të pasionuarit pas fluturimeve, disa dhjetëra motoçiklistë të huaj u stacionuan për të shijuar bukurinë dhe hapësirën e pamatë të detit. Por edhe për të bërë një foto. Prania e tyre në atë orë të pasdites, por edhe e kamperave apo automjeteve me targa nga vende të ndryshme të Europës, është gjithashtu një tregues se sezoni veror po zgjatet. Kjo ka bërë që, mjaft plazhe të qëndrojnë ende në funksion, si asnjë vit tjetër në këtë periudhë. “Morinë Palace”, “Drymades Resort”, “Drymades In”, “Empire Beach” apo plazhe të tjera, vazhdojnë të jenë aktive, për shkak të fluksit të pushuesve që vijojnë të shijojnë ditët me diell.

Nuk ka shifra. Është ende herët për të bërë një bilanc të saktë të treguesve të këtij sezoni. Por, mjaft pronarë hotelesh, restorantesh etj, përgjatë bregdetit, një gjë ta thonë me siguri; numri i turistëve të huaj, gjatë këtij sezoni ishte shumë më i lartë, krahasuar me atë që shkoi. Investimet, promovimi i resurseve turistike etj, janë disa nga faktorët që ndikuan e që sigurisht, do të ndikojnë edhe në vijim./Klotilda Saracini

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com