Ish-kryeministri Sali Berisha kërcënoi pak ditë më parë se ishte i gatshëm ta rrëzonte qeverinë edhe me grusht shteti. Por të tilla thirrje janë hapur në kundërshtim me ligjin. Për avokatin Spartak Ngjela dhe deputetët e PS, ai ka shkelur Kushtetutën me Kodin penal dhe duhet të hetohet. Kodi Penal në nenin 223 e ka përcaktuar qartë se çdo thirrje për dhunë dënohet deri në 3 vite burg.
Për këtë arsye, avokat Ngjela tha në një prononcim për gazetën “SOT” se Berisha duhet të arrestohet.
“Çfarë grusht shteti do bëjë ai aman. A e keni parë sesi është bërë ai, apo jo? Ai duhet të arrestohet. Këto janë budallallëqet e Saliut nga frika e reformës. Nuk bën dot grusht shteti ai. Grushti i shtetit do gjë reale, kolonelë, ushtri, ku i ka këto ai budalla. Askush nuk i shkon më pas”, tha avokati Spartak Ngjela.
Edhe Përfaqësuesi i PS në qarkun e Vlorës, deputeti Andrea Marto, i cilësoi thirrjet e ish-kryeministrit si antikushtetuese. Për këtë arsye ai kërkoi nga prokuroria që ta vërë para drejtësisë.
“Thirrjet e Berishës janë antikushtetuese dhe antiligjore. Megjithëse i ka përsëritur vazhdimisht, drejtësia nuk e ka thirrur kurrë. Dikur ishte i rrezikshëm, tani nuk e merr njeri seriozisht”, tha ai për gazetën.