Ditën e nesërme do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste. Në rendin e ditës janë 11 çështje teksa bëhet e ditur se diskutimet do të nisin me raportin e ‘Llogaridhënies Publike të Qeverisë’.
Më tej, janë një sërë pikash sa i takon përgatitjes për zgjedhjet vendore të 2019-ës por edhe mbi gjendjen e partisë.
Mbledhja është njoftuar se do të nis në orën 10:00 ndërsa ajo do të mbahet në ambientet e Hotelit ‘Mak-Tirana’ ose ish-Sheratoni.
Duket se socialistët kanë thyer kështu traditën e vjetër pasi më herët Asambleja e PS-së është mbledhur në ambientet e lokal ‘Xibrakut’ ose tek ‘Hotel Tirana’ por duket se këtë herë drejtuesit e PS-së kanë vendosur të ndryshojnë vend dhe do të mblidhen tek hoteli që është në pronësi të biznesmenit Shefqet Kastrati.
Ky i fundit është edhe koncensionari i ‘Rrugës së Kombit’ ndërsa e bleu godinën ku ndodhej ish-hotel ‘Sheraton’ në fillim të këtij viti.