SE AFERMI,fillon maratona e promovimeve te romanit tim ‘NILKON’. Nje rrugetim i gjate i cili do t’me shpier ne Pogradec, Korce, Erseke, Gjirokaster, Durres, Fier, Berat, Shkoder, Elbasan, Ballsh, Tirane, Sarande… e deri ne Janine, Athine, Brindisi, Rome, Vjene, München, Bukuresht, Craiova, Sofia, Shkup, Tetove, e akoma me tutje. Kam kenaqesine ti informoj miqte e letersise time se, KREUZTANNE, pjesa e pare e trilogjise, keto dite u perkthye ne greqisht ne nje kohe qe eshte ne perfundim perkthimi ne kroatisht. Me pare, ai eshte perkthyer ne gjermanisht, italisht dhe rumanisht ne nje kohe qe’ NILKON’, eshte perkthyer ne arabisht dhe gjermanisht.
Me poshte, nje analize e
Prof. Dr. Vjollca Dibra
Universiteti i Prishtinës dhe Prizrenit
“AI, TJETRI NË LETËRSI” – (Vështrim mbi romanin “NILkon” të Fate Velaj’t,
botuar nga Onufri, Tiranë 2017)
E para gjë që më ra ndërmend kur mora në dorë romanin “NILKON” ishte informacioni im i mëngët për autorin. Krahasimi bëhet edhe më i rëndë, edhe më i vrazhdë kur kujtojmë faktin se është ky autor që në përmasë ndërkombëtare njihet pikërisht për përpjekjet, mëtimet dhe rezultatet e tij në terrenin e ndërkomunikimit kulturor e artistik midis popujve, racave e besimeve të ndryshme. Sa nis leximin e sheh se asgjë nuk të duhen shënimet gjenerale biografike e bibliografike, po të mban misteri i titullit-kompozitë: NILkon.
S’ka forcë t’i vë fre kureshtjes, aq më tepër kur stili joshës, sharmi gjuhësor dhe begatia figurative të tundojnë hovshëm drejt fundit. Drejt fundit të pafundmë.
NILkon-i (…kur Danubi e takoi Nilin) është pjesa e dytë e trilogjisë “Kreuztanne”. Rrjedha e veprimit nis në dekadën e parë të këtij shekulli, në Vjenë të Austrisë dhe përvijohet gjithandej përmes rrëfimit autorial, ose siç njihet ndryshe: narracion në ICH form. Mua më vjen më i saktë koncepti AI, tjetri.
Vitin e kaluar në Prishtinë u mbajt një konferencë albanologjike po me këtë temë. Unë s’kam punë me konferencën, po me Borges’in dhe Velaj’n. Derisa Borges’i e gjen atë tjetrin, Borges’in e letërsisë përballë vetes si një alter ego, Fate Velaj e ndërton dhe e prezanton atë tjetrin, kuratorin e ekspozitës “Arti përmirëson kohën”, ”Midis Danubit dhe Nilit” dhe projeksionin e tij në telajo “Kujtime nga e ardhmja”.
Analiza e mëtejme e kësaj proze, që autori e quan roman, pjesë të dytë të trilogjisë, më shpie në tentativën e shmangies së teorisë klasike. Unë e shoh si një rrëfim eseistik autobiografik, diçka që në aspektin e modernitetit e tejkalon konceptin teorik të romanit. Këtë gjë do ta thosha edhe në planin e strukturimit të kësaj vepre. Pjesët, pesëdhjetë sosh, më parë se kapituj do t’i quaja pamje ose skena, terma të gjuhës së teatrit, pikërisht për faktin se secila njësi ka një bërthamë dramatike që në kuptimin asociativ ndërlidhet me kohë, vende, personalitete e hapësira të ndryshme përgjatë së tashmes e deri në muzget e kohërave të vjetra.
Autori narrator këtu nuk bën të gjithëdijshmin si në prozën e përroit të ndërdijes, as shtrirjen e tiradave narrative të diskursit monoton kuazifilozofik, por shpërfaq mbresën personale karshi aktit personal ndanë të tjerëve dhe me të tjerët, pjesëtarë të popujve të ndryshëm, të kulturave të ndryshme, të arteve të ndryshme, pa iu shmangur madje as politikës për aq sa ajo ka pjesë në jetën e këtyre njerëzve e të këtyre popujve. Kujtojmë ngjarjen e 11 shtatorit (shembjen e kullave binjake), Marrëveshjen e Ohrit, Historinë e Operës “Aida” e shumë e shumë të tjera.
Në ritmin e leximit kjo vepër të mban pezull, fluror dhe të pandalshëm. Provon të nënvizosh një mendim: “E çuditshme – thashë. – Unë jam i përpirë nga kujtimet, nga e ardhmja, ndërsa ajo nga kujtimet nga e kaluara” (fundi i citatit), kur të shfaqet pasazhi tjetër: “Ndaluam përballë tyre. Pa folur. Një heshtje, që vinte nga mosgjetja e fjalëve përballë madhështisë dhe modestisë së tyre, mbizotëronte në ajër. U bëmë gati të flisnim. Asnjëri s’e hapi gojën. Ngelëm të shtangur para tyre” (faqe 243). Është skena para piramidave. Këtu autori ta dikton edhe ritmin e leximit dhe mu ku përfundon fjalia me pikë e sheh veten se po të mbahet fryma. Nuk më ka rënë të lexoj përshkrim më autentik ku ankthi i pamjes të reflekton drejtpërdrejt në brendësin e qenies.
Një karakteristikë e kësaj proze bie në sy edhe në ndërtimin e skenës, të situatës. Diçka nga teknika e filmit. Thjeshtësia e përshkrimit me fjali sa më të thjeshta e me detaje sa më të tëholluara. Kjo i bie se s’ke asnjë rast e rrethanë, në rreth 350 faqe, të të bëhet monoton dhe bezdisës. Sigurisht që në këtë plan ka punë e peshë dora prej mjeshtri e Fate Velaj.
As gaboj dhe as e teproj, ma thotë mendja, po të formuloj autorësinë e kësaj vepre si autorësi e artistit përpara se e shkrimtarit.
Erudicioni i Velaj‘t, formësimi dhe përvoja e tij, njohuritë e gjithanshme të arteve dhe kulturave të ndryshme të popujve dhe epokave të ndryshme e bëjnë atë një autor të kërkuar e të pritur nga lexuesit.
Dhe, vijmë të NILkon-i. E dimë tashmë Danubin. Dimë madje edhe për “Valsin e Danubit”. E dimë Nilin edhe vëllamërinë që krijohet në fushën e artit përmes ekspozitës në Kajro të Egjiptit. Ah, po. Fate Velaj, krahas brushës (ngjyrës) dhe lapsit (fjalës) ka edhe një mjet tjetër shprehës, aparatin fotografik, aparatin e firmës NIKON që në përqasje me Nilin, i merr atij vetëm një L, si një kujtim të mos-humbjes e të mosbjerrjes.
Nuk thoshin kot latinët e moçëm: “Ars longa, Vita brevis” (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër).Mars 2018 Fate Velaj.