“Rënia” e prokurorit Besim Hajdarmataj po përflitet si e lidhur politikisht me çështjen “Tahiri” apo me çështje të tjera jashtë kontekstit të vërtetë të arsyes së largimit të tij. Pas shkarkimit si drejtues i prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj është zhvendosur sot në Prokurorinë e Pogradecit.
E vërteta e kulluar është se Besim Hajdarmataj është shkarkuar nga posti i Kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të aferës së kokainës së Arbër Kuliçit-Çekajt. I njohur ndryshe si personi më i besuar i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ai largohet nga Krimet e Rënda fill pas zbardhjes së skandalit ku u akuzua drejtpërdrejt për mbyllje në mënyrë misterioze të dosjes së bosit të drogës Arbër Kuliçi-Çekaj.
Pas zbulimit të 613 kg kokaine që vinte nga Kolumbia, doli se pritësi i drogës kishte edhe një dosje tjetër e mbyllur më herët nga kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda. Pasi më 22 dhjetor 2015 pranë kryesekretarisë së prokurorisë për Krime të Rënda vjen një material referues për shtetasin Arbër Kuliçin-Çekajn, pronar i kompanisë që importonte nga vendet e Amerikes Latine banane!
Në material ndër të tjera thuhej “se në port është kapur një kontenier me banane brenda të cilit po me dysheme të modifikuar u gjetën 90 kg kokainë dhe se kontenieri po vinte në Shqipëri për llogari të kompanise se Arbër Çekajt! Ky material u regjistrua në prokurori me nr.protokolli 12041 dhe 12041/1 për rastin në fjalë!
Në atë kohe prokuroria per Krime te Renda kishte zv/drejtues të emëruar nga Adriatik Llalla prokurorin Besim Hajdarmataj. Për llogari të kësaj çështjeje Çekaj u thirr në prokurori ku pretendoi në atë kohë që kishte porositur banane dhe jo kokainë! Pak kohë pas “këtij rrëfimi” në krye te Krimeve të Renda u emërua si drejtues Besim Hajdarmataj dhe po me firmën e tij dosja e A.Çekajt u pezullua dhe kaloi ne arkive me arsyetimin se kolumbianet nuk kishin sjell materialet, dhe se Kuliçi i vogël kishte porositur banane!
Besim Hajdarmataj duke qenë se na doli që kishte njohje me Çekajn, me të cilin thonë se janë takuar edhe në prokurori, për shkak të zonës nga vinte Tropojë dhe njohjeve të tjera me familjaret e tij kjo dosje u pezullua në vitin 2016 dhe biznesmeni Arbër Kuliçi-Çekaj vazhdoi aktivitetin e “bananeve”!
Aktivitet që nxori kokën përseri në 2018 me 613 kg kokaine!
Pikërisht njeriu që Hajdarmataj kishte liruar dhe mbyllur dosjen dhe që tashmë është arrestuar në Dyseldorf të Gjermanisë për trafik kokaine, Arbër Kuliçi-Çekaj sërish përmes bananeve solli drogë. Këtë radhë shtatëfish më shumë se sa në vitin 2015, dhe ku Hajdarmataj me gjithë përpjekjet nuk kishte çfarë i bënte më. Madje tashmë pritet që të shkojë në burg për këto 90 kile drogë që mbylli tre vite më parë, por që hapi rrugën për ardhjen e 613 kilogramëve të tjera bashkë me “bananet”, të cilat u kapën në Durrës.
Pikërisht kjo drogë e shkarkoi Hajdarmatajn nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e degdisi në Pogradec. Dhe shumë shpejt do të jetë në burg për të dhënë llogari për ciklin e mbyllur të kësaj droge.
Ndërkohë që një arsye tjetër e lëvizjeve në prokurori është dhe dosja e Adriatik Llallës./pamfleti