Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se nëse i preket një fije floku deputetëve apo përfaqësuesve të opozitës do të mbajë përgjegjësi me kokën e tij.
Në një deklaratë nga selia e PD, Basha denoncoi ngjarjet e ndodhura sot në Jalë gjatë aksionit të IKMT.
“Jam këtu për të denoncuar dhunimin barbar të të rinjve dhe madje e fëmijëve që u ngritën në mbrojtje të shtëpive të tyre nga banditët e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës.
Ka vetëm një qëllim për të grabitur trojet e çmuara të Jalës. Dëshmitarët, banorët kanë dëshmuar se toka do ti kalojë në pronësi MM për tu shndërruar më pas në pasuri të miqve të Edi Ramës. Është e njëjta skemë si ajo me Teatrin Kombëtar.
Kompleksin e Alban Xhillarit që ka zaptuar gjithë bregdetin e Jalës nuk e ka prekur ky aksion.
Deputetët tanë u nisën menjëherë sapo nisi konflikti. Policia dhe IKMT janë sjellë si banditë me banorët. Fatmir Meta, ose Fatmiri i Nasibesë kërcënoi deputetin e PD-së Agron Shehaj.
Fatmiri i Nasibesë është ish-shefi i komisariatit të Tropojës, me makinën e tij udhëtoi më 12 shtator për në Tiranë banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Po atë ditë banda u kthye në Tropojë.
Rama dhe Xhafaj e kanë hedhur policinë në sulm kundër popullit për të mbrojtur grabitjen, oligarkët.
Ramës po i jap një paralajmërim: Një fije floku po iu prek çdo deputeti apo përfaqësuesi të opozitës nga banditi Fatmir Meta, përgjegjësinë do ta mbash ti Edi Rama në kokën tënde”, deklaroi Basha.