Loading...

Plas skandali në Ministrinë e Jashtme, 44 diplomatë do kthejnë rrogat, ja arsyeja

Kontrolli i Lartë i shtetit urdhëron zhdëmtimin e arkës së shtetit nga 44 diplomatë të ministrisë së Jashtme të cilët kanë përfituar të ardhura nga lista e pritjes.

44 diplomatëve u kërkohet të kthejnë 15,833,657 lekë në arkën e shtetit, raporton newsbomb.al.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një urdhëri të firmosur prej tij kaloi në vitin 2014 në listë pritje edhe zyrtarë me statusin e diplomatit që shërbenin në këtë dikaster ose në misione për 17-20 vjet.

Por ndërsa rrinin në listën e pritjes për t’u emëruar më pas në pozicionet e tyre, 44 diplomatët kanë vazhduar të paguhen. Ndërkaq, sipas KLSH, që i referohet LIGJIT për “Për statusin e nëpunësit civil”, termi “Listë pritje”, nuk ekziston por Bushati megjithatë ka vazhduar t’i paguajë në kundërshtim me ligjin.

“Pagesat e kryera nga MPJ për punonjësit në “Listë pritje” është në kundërshtim me ligjin e mësipërm dhe vlera prej 15,833,657 lekë (Mars 2014 deri mars 2015) përbën dëm ekonomik për Institucionin dhe duhet të arkëtohet”, thuhet në raportin e KLSH.

Sakaq, ka reaguar Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë lidhur me vendimin e KLSH, duke kujtuar se asnjë punonjës i vendosur në listë pritje – jo për faj të tyre – nuk mund dhe nuk duhet të penalizohet financiarisht.

“Detyrimi për të zhdëmtuar arkën e shtetit është në kundërshtim me kodin e punës, detyrimet dhe të drejtat e çdo të punësuari në administratën shtetërore, dhe përgjegjësitë duhet të kërkohen vetëm tek shkaktarët apo vendimmarrësit.

Kujtojmë se, trajtimi dhe implikimi në rrugë gjygjësore individuale për çdo punonjës të MEPJ-së i këtij urdhëri do të ishte jo korrekt nga strukturat drejtuese të MEPJ-së, që duhet të marrin përgjegjësinë ligjore dhe insitucionale për t’a ndjekur deri në fund kundërshtimin e këtij urdhëri”, thuhet në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

ÇFARË THOTË RAPORTI I KLSH:
Me anë të Memorandumit Nr. 454, datë 30.01.2014 të cilit i janë bashkëlidhur vendimet e ish Sekretarit të Përgjithshëm, Q.Q, janë kaluar në listë pritje punonjësit të cilëve u është prekur vendi i punës si pasojë e ristrukturimit të institucionit në zbatim të urdhrit të Kryeministrit nr. 227, datë 02.12.2013 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së MPJ”.

Nga auditimi i listë pagesave dhe nëpunësve të cilët trajtohen me statusin e nëpunësit civil u konstatua se për periudhën 01.01.2014 deri në 24.02.2015 kanë përfituar nga lista e pritjes 44 punonjës dhe ish punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme sipas listë pagesave të deklaruara në shumën 22,419,502 lekë bruto, dhe neto në vlerën 17,851,033 lekë. Në nenin 50 të Ligjit nr. 152/2013, datë 30.5.2013 për sistemimin e punonjësve në vende vakante është përcaktuar se …

Nëse për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, pozicioni i mëparshëm i një nëpunësi civil nuk ekziston më, ai transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori. Transferimi, sipas pikës 1 të këtij neni, bëhet me precedencë, sipas kësaj renditjeje: a) në të njëjtin institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar; b) në institucionin, me të cilin institucioni është shkrirë apo bashkuar, në një nga institucionet, në të cilat institucioni është ndarë apo në institucionin që ka marrë funksionet që kryente më parë nëpunësi; c) në institucionet e varësisë së institucionit të ristrukturuar; ç) në një institucion tjetër të shërbimit civil..”..

VKM nr. 171, datë 26.3.2014, Kreu III. Në Ligjin 152/2013, datë 30.5.2013 “Për statusin e nëpunësit civil”, konstatohet se termi “Listë pritje”, nuk ekziston. Nën këtë arsyetim pagesat e kryera nga MPJ për punonjësit në “Listë 15 pritje” është në kundërshtim me ligjin e mësipërm dhe vlera prej 15,833,657 lekë (Mars 2014 deri mars 2015) përbën dëm ekonomik për Institucionin dhe duhet të arkëtohet.

Të kontabilizohet dhe të ndiqet në rrugë ligjore arkëtimi i vlerës 15,833,657 lekë duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera në të gjitha shkallët e gjykimit, të përfituar padrejtësisht për shkak të trajtimit të tyre si punonjës në “listë pritje” nga 44 punonjës dhe ish punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme sipas listë pagesave të deklaruara (bashkëlidhur) për vitin 2014 dhe 2015 në kundërshtim me Ligjin 152/2013, datë 30.5.2013 “Për statusin e nëpunësit civil”. Menjëherë!

DEKLARATA E KËSHILLIT TË AMBASADORËVE SHQIPTARË:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të datës 06.08.2018 për MEPJ, dhe gjetjet përfundimtare të auditimit të kryer në këtë institucion në periudhën 2017-2018.

KLSH në raportin e botuar në faqen zyrtare ka urdhëruar zhdëmtimin e arkës së shtetit nga ana e 44 nëpunësve të cilët kanë përfituar të ardhura nga lista e pritjes, si me poshtë:

“Të kontabilizohet dhe të ndiqet në rrugë ligjore arkëtimi i vlerës 15,833,657 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera në të gjitha shkallët e gjykimit të përfituar padrejtësisht për shkak të trajtimit të nëpunësve në listë pritje nga 44 nëpunës dhe ish nëpunës të MPJ, sipas listë pagesave të deklaruara për vitin 2014 dhe 2015, në kundërshtim me ligjin 152/2013 date 30.05.2013 “Për statusin e nëpunësit civil”.

KASH vlerëson kundërshtimin me argumente që MEPJ i ka bërë këtij raporti, por në të njëjtën kohë kujton se asnjë punonjës i vendosur në listë pritje – jo për faj të tyre – nuk mund dhe nuk duhet të penalizohet financiarisht.

Detyrimi për të zhdëmtuar arkën e shtetit është në kundërshtim me kodin e punës, detyrimet dhe të drejtat e çdo të punësuari në administratën shtetërore, dhe përgjegjësitë duhet të kërkohen vetëm tek shkaktarët apo vendimmarrësit.

Kujtojmë se, trajtimi dhe implikimi në rrugë gjygjësore individuale për çdo punonjës të MEPJ-së i këtij urdhëri do të ishte jo korrekt nga strukturat drejtuese të MEPJ-së, që duhet të marrin përgjegjësinë ligjore dhe insitucionale për t’a ndjekur deri në fund kundërshtimin e këtij urdhëri.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të rishikojë vendimin e tij për këtë rast dhe të shmangë proçeset e gjata gjyqësore për diplomatët shqiptarë, pasi: personat e ngarkuar nuk kanë bërë një analizë të hollësishme auditive mbi shkaqet, motivet dhe arsyet e vendimit të institucionit për të nxjerrë në listë pritje diplomatët e karrierës; nuk mund të kalojë përgjegjësia financiare tek nëpunësit; sipas kuadrit ligjor në fuqi (Ligji për Shërbimin Civil nr. 8485, datë 12.05.1999 dhe nr. 152/2013, hyrë në fuqi, më 26 shkurt 2018), punonjësit që janë në listë pritje apo të larguar nga puna, kanë të drejtën e një dëmshpërblimi, në përputhje me vjetërsinë e tij në punë, që shkon deri në 1 vit.

KLSH qëndron përkrah diplomatëve shqiptarë të prekur nga ky urdhër dhe do t’i mbështesë ata deri në zgjidhjen përfundimare të çështjes.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com