Loading...

Përsalitje idilike, nga Albert Vataj…

Fëmija tek unë

Me mbi 50 vite në mes, ky fëmijë qëndron ende tek unë si ajo krijesë e brishtë, e frikësuar nga një botë të cilën nuk e njeh, i shastisur nga gjërat që e rrethojnë, dyshues në dashurinë që i mëkohet, gjithnjë kureshtare dhe i heshtur.
E ndërsa e shkuara mbetet pas, ky fëmijë nuk harron të më tregojë se kush isha, çfarë mbetet ende e lidhur mes nesh, çfarë i bën gjërat dhe gjendjet shpesh kaq delikate dhe përjetimet kaq drithëruese.

Është ky fëmijë brenda meje që më tregon mbi sekretet e ndjenjave, më udhërrëfen për nga dëshirat, dhe duke ndalur në prehrin tim më flet për botët magjike, për bukuritë dhe gëzimet, dritat dhe ngjyrat, lulet dhe fluturat… më tregon për dashurinë që këmbejmë nëpërmjet syve, mëkojmë nëpërmjet buzëve dhe e shenjtërojmë përmes dëshirimit për të qenë të dashuruar.

Të qaren e këtij fëmije nuk e njoh, por ai më ka mësuar se si të fshijë lotët. Ai më ka mësuar të puth, por ka harruar të më tregojë se si thyhet një zemër. Dinte gjithçka për botët e përrallave, për personazhet dhe trillet e atyre realiteteve të mahnitshme, por kurrë nuk më tha se andej kalonte rruga për tek ëndërrimet. Mes nesh ka kaq shumë dashuri, aq sa plaga e një lëndimi më dhemb më shumë se kafshimi i një trishtimi. Më flet për njerëzit, sa shpesh zëri im është vullnet i fjalëve të tij.
Takohemi hera-herash me njëri-tjetrin dhe është ai çast, ajo magji që më mbush me një dritë dhe më përkund në një hare që gazmueshëm me merr në krah, duke më çuar gjithnjë në vende dhe përjetime, të tilla sa mund t’i rrokësh vetëm me dëshirimin e një fëmije.
“Lëre veten t’i jepet fëmijës që struket brenda teje, përpiqu të dëgjosh këtë zë që pipëtin në shpirt dhe do të shohësh, se si sytë do të rigjejnë shkëlqimin… dhe ne do të mund të fluturojmë. Nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën”, thotë Pulo Coelho.

(Foto kur unë isha 2 vjeç) Albert Vataj.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com