Mensah e Telushi i kanë dhënë fitoren “Partizanit” në sfidën e parë të javës së pestë të Superligës përballë “Flamurtarit”.
Sfida e zhvilluar në “Selman Stermasi” në kryeqytet përfundoi me rezultatin 2-0, por përballja ishte e hapur deri në minutën e 90-të, kur Telushi shënoi dhe golin e qetësisë për “Demat e Kuq”, të cilët kryesonin falë golit të Mensah që prej minutës së 21-të.
Djemtë e drejtuar nga Skënder Gega me këtë fitore kanë arritur “Skënderbeun”, që luan nesër me “Tiranën”, në krye në kuotën e 10 pikëve. Nga ana tjetër, skuadra e “Flamurtarit” rëndon pozitat e saj, duke mbetur në kuotën e 7 pikëve, në vend të katërt, e rrezikuar nga shumë ndjekës, me të cilët i ndan vetëm 1 pikë. /atsh