ANIJET QË BËN AXHEMI
Me Axhem Binaj, mjeshtri që selit anije.
Kur ndrimi i sistemit prishi çdo gjë nga ekulibrat e punësimit u mblodhën kokë më kokë sa ishin. Të katër vëllezërit e të dy motrat, bashkë. Antoni, më i vogëli vëlla, sa kishte “larë” duart nga ndërmarrja artistike dhe menduan t’ja nisnin andej, të mbështeteshin tëk përvoja e tij në punimet e anijeve. Ca më tepër që artistikja e Vlorës ishte e vetmja mes simotrave në vend që bënte anije artistike me vela. Axhemi sa kishte “dorëzuar” portin ku punonte dhe të paktën kish arritur të njihte jo pak nga bota e detarisë e kështu do ndihmonin njeri- tjetrin.
Kështu vendosën të trashëgojnë traditën e qytetit bregdetar që për shumë vite mbahej si “kantieri” i prodhimit në mënyrë artizanale të anijeve artistike me vela.
Në fillim nisën të dalin në treg me disa modele të thjeshta e bashkë me prodhimet e para filluan të vizitojnë dyqane syveniresh në disa qytete të vendit. Aty ku edhe më parë kishte patur sado pak një traditë në tregëtimin e prodhimeve artistike artizane.
Pastaj siguruan një katalog me plot katërqind makete anijesh të vjetra, nga më të vjetrat të përdorura qysh prej mesjetës.
Shumë shpejt firma “Binaj” nisi të futet bindshëm në tregun e produkteve artistike artizanale madje duke dalë edhe përtej kufijve.
Axhem Binaj tani është nga mjeshtrit më të njohur të modelimit e prodhimit të anijeve artistike në shkallë vendi.
Ka modeluar e prodhuar gjithfarë anijesh por nga tonat ka për zemër të na përmendë “Liburna”-n, “ Lembian”-n e mjaft të tjera anije nga koha e mesjetës me dy e tre direkë.
Por Axhemi nuk ka ndaluar vetëm te koha e mesjetës, edhe mjaft anije lundruese të kohës, shumë prej tyre të porositura nga pronarët e tyre kanë kaluar në “laboratorin” rimodelues e prodhues të tij.
Një punë plot art, durim e dashuri. Çdo gjë vetëm me dru, me lis, ah apo bredh.
Rreth tre muaj punë të pa ndërprerë i ka kërkuar modelimi dhe prodhimi i anijes me emrin “ Americo Vesspuçi”, katër metra e gjatë, me e madhja dhe më voluminozja e prodhuar në këto gati dy dekada që Axhem Binaj jep e merr me prodhimet artizane të lundrimit.
Vlora e ka të hapur “ kantjerin” prodhues të anijeve artistike të gatshme kurdoherë të “lundrojnë” në ujërat e tregut vendas e turistik, jo vetëm të saj.
*ky portret, ashtu si të tjerë më parë e të tjerë në vijim, publikohet në faqen time në Fb në kuadër të 29 shtatorit, “ Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, si inisiativë e DRTK-Vlorë. Nga Sejmen Gjokoli.