Loading...

Kuçi një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit

Kuçi shtrihet në amën jugperëndimore të krahinës së Kurveleshit. Ai kufizohet nga gjerësia gjeografike 40° 14′ dhe 40° 14′ dhe gjatësia gjeografike 19° 45′ dhe 19° 55′.

Kuçi ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 180 km² ose 350 km² sipërfaqe të sheshtë. Kuçi ka 350 ha tokë arë, 77–80 km² pyje, pjesa tjetër është sipërfaqe kullosëse malore, sipërfaqe të zhveshura e përrenjësh.

Kuçi është 620 m mbi nivelin e detit dhe 62 km larg Vlorës. Nga Kuçi në Vlorë shkon duke përshkruar fshatrat Kallarat 11 km, Vranisht 15 km, Tërbaç 24 km, Brataj 30 km, Lepenicë 35 km, Gjorm 40 km, Kotë 47 km, Drashovicë 53 km, Shashicë 60 km.

Kuçi është një nga fshatrat më të njohura të Labërisë, është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, si nga sipërfaqja dhe nga popullsia. Në vitet 1431 Kuçi ka patur 49 shtëpi me 180 banorë; në vitin 1942 rreth 500 shtëpi me 4000 banorë ndërsa sot ka rreth 400 shtëpi më 3500 banorë. Në Kurvelesh janë përfshirë fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Çorraj, Fterra që bëjnë pjesë në Kurveleshin e Poshtëm; Vërmik, Rexhin, Nivicë, Gusmar, Progona, Lekëdush, Golem, Kaparjel, Kolonjë, Picar bëjnë pjesë në Kurveleshin e sipërm. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit 1878 deri në vitin 1912, së bashku me fshatrat që janë sot në Kurvelesh janë përfshirë edhe fshatrat Koron, Kardhiq, Humelicë, Fushë-Bardhë, Zhulat, Rrëzomë, Palavli, Kalasë, Nivicë-Bubar, Shenvasil, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Borsh. Këto fshatra në kohë lufte janë përfshirë në krahinën e Kurveleshit, ashtu siç ndodhi në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare të vitit 1942-1944, ku këto fshatra u përfshinë në një komitet krahinor me qendër në Kuç. Kuçi gjatë luftës së dytë botërore luajti një rol vendimtar me rëndësi të veçantë historike në të gjithë këtë krahinë dhe në krahinat përreth. Për këtë rol të veçantë u shpall edhe fshat MARTIRE i Luftës së Dytë Botërore1) dhe i vendeve Martire e të Paqes në Botë me qendër në Bolonja Itali. Kuçi, duke qenë edhe në kohët e vona kryeqendër e Kurveleshit dhe e Labërisë, ku një vend të dukshëm mori tregëtia me 13 dyqanet që kishte, bluarja e drithit dhe derstila me 12 mullinjtë, njëkohësisht pazari e panairet janë zhvilluar në Kuç, por ato janë zhvilluar edhe në Himarë, Delvinë, Gjirokastër e Vlorë, ku tregëtoheshin bagëtitë, punimet e artizanatit, si sixhadet, velenxat, qylimat, punimet e drurit, si lugë, çibuqe, longare etj. gurët e gdhendur, sidomos gurët e qosheve të shtëpive dhe ato të portave e të dyerve, të cilat gdhendeshin me shije e mjeshtëri.

Kuçi shtrihet në Kurveleshin e Poshtëm, atje ku ka zanafillën e vet lumi i Shushicës, i njohur edhe me emrin Lumi i Vlorës. Pikërisht këtu fillon lugina e Shushicës, një nga më të rëndësishmet e Shqipërisë jugore, e begatë dhe e banuar qysh nga lashtësia.

Pak më në jug të Kuçit shtrihet qafa e Dërrasës, me lartësi 640m mbi nivelin e detit, e cila ka rëndësi të madhe gjeografike e strategjike, pasi lidh Bregun e Detit dhe rrethet Sarandë, Delvinë me luginën e Shushicës e rrethin e Vlorës. Rruga Sarandë – Kuç është e gjatë 60 km dhe kalon në fshatrat Nivic-Bubar 15 km, Shenvasi 17 km, Lukovë 22 km, Sasaj 25 km, Piqeras 30 km, Borsh 35 km, Fterrë 45 km, Kuç 60 km. Përmes kësaj qafe shkon rruga automobilistike në gjithë këtë anë të Shqipërisë Jugore. Prandaj në këtë qafë dhe përreth saj janë shtjelluar ngjarje të rëndësishme historike që nga koha e Gjolekës së Kuçit deri tek LANÇ, gjatë së cilës këtu janë zhvilluar beteja të ashpra midis UNÇ dhe forcave armike pushtuese e bashkëpunëtorët e tyre.

Lugina e Shurit në Kuç dhe gryka e Zarelit e lidh Kuçin me Kurveleshin e Sipërm (Golemin). Kuçi nëpërmjet grykës së Shurit lidhet me rrugë automobilistike (verore), me Gusmarin dhe me gjithë Kurveleshin e sipërm, rrugë e cila është e gjatë 15 km dhe, po të ndërtohet përfundimisht është një nga rrugët turistike më të bukura të vendit, pasi kalon në gjithë kanionin mahnitës të Grykës së Lepushkës, përroit të Dushoberit e të Zarelit dhe përroin e Shurit që zbret nga buza e Dervenit dhe Qafa e Gomarthit. Kjo luginë është shumë e ashpër, e pjerrët dhe nëpër të në dimër mund të kalojnë vetëm këmbësorët. Në këtë anë të Kuçit ka edhe qafa të tjera malore në lartësi 800-1000m, si Buza e Dervenit e Qafa e Gomarthit etj, që e lidhin atë me fshatra të veçanta të Kurveleshit të sipërm.

Nëpërmjet luginës së përroit të Kudhësit dhe qafës së Grashecit, qafës së Mretes e të qafës së Shkallës (610m mbi nivelin e detit), Kuçi lidhet më rrugë këmbësore e me kuaj me bregdetin e Himarës. Ky kalim hëpërhë është i vështirë por në të ardhmen këtej mund të çelet një rrugë automobilistike, rreth 15 km e gjatë që do të bashkonte në rrugën më të shkurtër Kuçin me bregdetin e Himarës. Ajo do të çonte çdo ditë për banjë deti në bregun e bukur të Himarës, gjë për të cilën do të mjaftonte një urban. Kjo do të jepte mundësi dhe për zhvillim në terrenin malor të agroturizmit me klimë të pastër, e të gjuetisë së kafshëve e të shpendëve të egra./wikipedia

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com