Ndërsa është kthyer në mollë sherri çështja e kufirit mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, duket se gjakrat janë nxehur shumë. Tashmë tonet mes tyre kanë ndryshuar dhe nga deklaratat diplomatike, kreu i shtetit ka shpërthyer në një koment të drejtpërdrejt për shefin e ekzekutivit: nëse do luftë, nisja, por jo në studio televizive citohet të ketë thënë presidenti.
Sipas shtypit kosovar, këto komente Thaçi i bëri gjatë takimit të zhvilluar me kreun e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi. Presidenti kosovar theksoi gjithashtu se kërkesën për bashkim me Kosovën, sipas tij, e ka bërë vetë Lugina e Preshevës. Thaçi shtoi se po punon për ta institucionalizuar këtë kërkesë. Ai përsëriti se nuk do të lejojë një Asosacion me kompetenca ekzekutive, e as një Republikën Srpska, ndërsa shtoi se liqeni i Ujmanit dhe Trepça do t`i mbeten Kosovës.