Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi ka folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosoves e Serbisë. Ai u shpreh i bindur se Presheva, Medvegja dhe Bujanovci do t’i bashkohen Kosovës pa i dhënë asnjë territor në këmbim Serbisë.
Por në të njëjtën kohë, Thaçi u shpreh pesimist se kjo marrëveshje nuk do të arrihet. Thaçi u shpreh se nëse Presheva e Medvegja me Bujanocin bëhen pjesë e Kosovës, do të përfshihen si “një e tërë”, duke përfshirë edhe autostradën që lidh Nishin me Maqedoninë.
Pjesë nga deklarata e Thaçit:
As Trepça as Gazivoda nuk do të jenë në shkëmbim. Unë nuk mund të flas për diçka hipotetike që askush ende në asnjë takim nuk e ka parashtruar. Sot flitet për ndarje dhe shkëmbim territoresh, definitivisht nuk do të ketë ndarje dhe shkëmbim.
Korrigjim do të thotë, Kosova ka përmbyllur kufrin e demarkimit me Serbinë dhe Malin e Zi, për tre vite kemi humbur për mos ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Korrigjimi nënkupton demarkimin e 430 kilometrave që kemi mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe në Maqedoni ka patur raste kur një fushë e një pronari privat një pjesë ka mbetur në Maqedoni e një pjesë në Kosovë. Negociatat do jenë shumë të rënda, marrëveshja do jetë gati e pamundur, jam skeptik që do arrihet, por duhet të punojmë që do arrihet.
Unë mund të flas vetëm për idenë time. E mbështes fuqishëm kërkesën e liderve të Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën, krejt është e papranueshme ajo pjesa e kuqe e hartës (Veriu, Mitrovica). Nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë korrigjim të kufijve.