Sazani dhe Karaburuni edhe gjatë muajit shtator mbetet ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët mahniten nga bukuria që natyra i ka falur kësaj zone.
Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës 1-17 shtator 3596 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.
Sipas Malaj, pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj.
Sipas statistikave nga rreth 3596 turistë, 2014 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistët vendas dhe të huaj.
Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operuan anije turistike, të cilat niseshin çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.
Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh