Loading...

Ja përse shqiptarëve u është grisur xhepi gjatë tre viteve të fundit…

Shqiptarët janë varfëruar çdo vit gjatë periudhës së fundit 3-vjeçare. Kjo pasi inflacioni nul është zëvendësuar me rritjen e rrogave, thënë më troç: çmimet janë rritur, ndërsa pagat jo.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare në Shqipëri arriti në 50 392 lekë nga 48 107 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2015.

Rrjedhimisht në tre vitet e fundit paga mesatare e një punonjësi shqiptar është rritur në total me 4.7 për qind. Por për të njëjtën periudhë, kostoja e jetesës e matur sipas treguesit të inflacionit është shtrenjtuar me 6 për qind.

Kjo do të thotë se në qershor të këtij viti, paga reale e një të punësuari në ekonominë shqiptare ishte 1.3 për qind më e ulët se sa tre vjet më parë. Ose e thënë ndryshe, një punonjës sot ble me rrogën e tij, 1.3 për qind më pak produkte dhe shërbime se sa blinte tre vjet më parë.

Ekonomia në spirale negative

Rënia e pagave reale ka përkeqësuar standardin e jetesës për familjet shqiptare që kanë si burim kryesor të të ardhurave punën. Prej disa vitesh pagat në Shqipëri janë në stanjacion të plotë ose rriten më pak se sa çmimet duke bërë që punonjësit të varfërohen.

Rënia e fuqisë blerëse të familjeve është arsyeja kryesore se pse konsumi në ekonomi mbetet i ndrydhur. Kjo e ka futur ekonominë në një spirale negative, ku rënia e rrogave sjell rënien e konsumit dhe anasjelltas, pasi duke shitur më pak bizneset ulin edhe më shumë rrogat.

Pas vitit 1990 rrogat në Shqipëri janë rritur me ritme dyshifrore. Në vitet e para të tranzicionit, rritja ishte e diktuar nga inflacioni i lartë. Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve në ato vite, qeveria por edhe bizneset rritën ndjeshëm pagat si një masë kompensuese.

Në vitet 2000, rritja e çmimeve u stabilizua në nivele të ulëta. Por pavarësisht kësaj, bizneset dhe qeveria kanë vazhduar të rrisin pagat në rend dyshifrorë duke përmirësuar standardin e jetesës për familjet shqiptare.

Kjo tendencë pozitive zgjati deri në vitin 20113, kur ecuria e pagave mori drejtimin e kundërt. Qeveria e majtë e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, ngriu për tre vjet rritjen e pagave në shtet. Kjo masë nxiti të njëjtën sjellje edhe tek biznesi, që vendosi të ngrijë pagat ashtu si qeveria, ndërkohë që kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet duke sjellë përkeqësimin e standardit të jetesës për shumicën e familjeve shqiptare./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com