Ish-deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit grek Aleksis Tsipras që tha se çështja çame nuk ekziston dhe nuk është në tryezën e bisedimeve me Shqipërinë.
Doda shkruan në një status në “Facebook” shpërthen nga qeverisë së kryeministrit Edi Rama ndërsa thotë se ‘bijtë e etërve të kuq në Shqipëri që persekutuan popullsinë e martirizuar të çamëve sot vendosin t’i zhdukin dhe emrin’.
Ish-deputetja më pas ka një porosi për pushtetarët përgjegjës.
STATUSI I MESILA DODËS
Ekstremisti i majte Cipras, tashmë i garantuar nga Rama edhe si partner strategjik, sot ka deklaruar se çështja çame nuk ekziston, se do marrë detin, varrezat, të drejtat për të gjallët e të vdekurit e tyre në këtë vend.
Po sot partneri strategjik i Edi Ramës deklaron se nuk njeh masakrat, dëbimet, rrëmbimet, vrasjet e vjedhjen e pronave në Çamëri, madje guxon e shkon deri aty sa thotë se do heqë emrin Çamëri nga tekstet shqiptare…
Rilindja si vazhdimësi e politikës së kuqe të diskriminimit dhe krimit mbi popullsinë çame po ridimensionohet bindshëm. Bijtë e etërve që vranë popullsinë çame në Çamëri së bashku me bijtë e etërve të kuq këtu në Shqipëri që persekutuan për gjysmë shekulli popullsinë e martirizuar që erdhi të gjente strehë në shtetin amë, sot vendosin t’i zhdukin edhe emrin…
Por sot duhet ta dinë mirë, e ta mësojë çdo pushtetar përgjegjës në këtë vend, se para se të zhdukni emrin, të drejtën e historinë e Çamërisë, do zhduket shumë më shpejt mbrapshtia edhe fara e urrejtjes dhe tradhtisë që ata vetë mbollën e po rrisin përditë mbi kurrizin e Çamërisë martire. Ne nuk harrojmë!!!