Loading...

Infermierja heroinë nga Gramshi, shpëton jetën e 15-vjeçarit

“Infermierja heroinë” është cilësuar Rruzhdije Xheka, e cila falë humanizmit, aftësive profesionale dhe eksperiencës në punë, bëri të mundur të shpëtonte jetën e djalit 15-vjeçar, i cili u rrezikua seriozisht nga dy pickimet e një nepërke.

Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në fshatin e thellë malor Jançë (Verri), Njësia Administrative Tunje – Gramsh.

“Pas njoftimit nëpërmjet telefonit nga familjarët e djalit, Ledio Dollani, të cilin e kishte pickuar një nepërkë dhe ishte në rrezik për jetën, u nisa drejt vendngjarjes”, – citon infermierja Rruzhdije Xheka.

Zona përbën një terren tejet të vështirë, të papërshkueshëm nga automjetet dhe e vetmja mënyrë kalimi janë kafshët, ose në këmbë.

Humanizmi që karakterizon Rruzhdije Xhekën bëri që të nisej në këmbë dhe e vetme drejt vendit të ngjarjes, duke marrë me vete kutinë e Ndihmës së Shpejtë. Normalisht rruga përshkohet për 70 minuta deri tek vendngjarja, ndërkohë që infermierja e ka kryer për 40 minuta duke vrapuar dhe duke kërkuar ndihmë nga mjetet rrethanore. Si rezultat i veprimeve të saj profesionale bëri të shpëtohej jeta e 15-vjeçarit.

“Unë kreva detyrën time si infermiere, nuk është hera e parë që e bëj (ky është rasti i 7) do vazhdoj ta kryej gjithmonë me humanizëm kundrejt banorëve, s’do ta kursej asnjëherë”, këto janë fjalët e infermieres së përkushtuar të kësaj qendre.

Pasi doli jashtë gjendjes së rrezikut për jetën, djali u transportua me ambulancë drejt spitalit të Gramshit. /atsh