Loading...

Hapen dosjet e pasurive të politikanëve, SHBA-BE nxjerrin zullumet që bënë krerët e shtetit përmes Adriatik Llallës

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkon kreut të ILDKPKI, Shkëlqim Ganajt, të publikojë të gjitha dosjet e pasurive të ministrave, deputetëve, drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë politikanëve në poste publike.

Kreu i Kuvendit i kërkon Ganajt që këtë detyrë ta realizojë në bashkëpunim me SHBA-BE. Publikimi i dosjeve të pasurive është një kërkesë e SHBA-BE, pasi politika shqiptare, përmes ish-drejtorëve Adriatik Llalla dhe më pas Zana Xhuka kanë bërë kërdinë me dosjet e pasurive, duke asgjësuar dhe ndryshuar dosjet.

Detyrat për Ganajn

-Forcimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me partnerët ndërkombëtarë, në përmbushje të angazhimeve të marra në kuadër të projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë përmirësimin e sistemit aktual për plotësimin, administrimin dhe kontrollin e formularëve të deklarimit, me qëllim rritjen e eficiencës dhe cilësisë së punës të Inspektoratit të Lartë, duke përfunduar ngritjen dhe vënien në funksionim të sistemit elektronik të deklarimit e publikimit të deklaratave të interesave privatë.

-Vendosmëri në luftën kundër korrupsionit, duke garantuar me prioritet vijueshmërinë e zbatimit të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting-un) në hartimin dhe dërgimin pranë institucioneve të rivlerësimit dhe ONM-së të dokumentacionit të plotë, së bashku me raportet e hollësishme dhe të arsyetuara, sipas konkluzioneve të kërkuara nga neni 33 i ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

-Ndjekjen dhe zbatimin e skemës së kontrollit të deklaratave të interesave privatë të

subjekteve deklaruese, në përputhje me kërkesat ligjore të parashikuara nga ligji nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, si dhe ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005,

“Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar;

-Zbatimin dhe monitorimin e ligjit nr. 60/2016, datë 2.6.2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, në drejtim të forcimit të kapaciteteve të njësive përgjegjëse pranë organizatave të sektorit publik dhe privat, si dhe realizimin, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të fushatave ndërgjegjësuese.

-Vazhdimin e ndjekjes së një politike të hapur me qytetarët, median dhe shoqërinë civile. Forcimin e mëtejshëm të urave të bashkëpunimit me median investigative. Respektimi i mekanizmave informues ligjorë e publikë, duke respektuar ligjin për të drejtën e informimit dhe atë të mbrojtjes së të dhënave personale, për publikimin e deklaratave të interesave privatë.

-Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave të mbështesin institucionin me financime të nevojshme për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit elektronik, të deklarimit të interesave privatë, me qëllim rritjen e efikasitetit në plotësimin, administrimin, kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe publikimin e të dhënave në deklaratat e interesave privatë për konsultim nga publiku, media dhe shoqëria civile apo çdo palë tjetër e interesuar.

-Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave të mundësojnë sigurimin e aksesit të ILDKPKI-së në Sistemin TIMS, si një ndër instrumentet e kontrollit që ndikojnë në rezultatet e hetimit të zyrtarëve subjekt të deklarimit të pasurive dhe interesave privatë.

-Kuvendi dhe ILDKPKI-ja të bashkëpunojnë gjatë vitit 2018 për zbatimin e duhur të Kodit të Sjelljes së Deputetëve, të miratuar më vendim të Kuvendit nr. 61/2018, duke siguruar këshillim, trajnim dhe udhëzime lidhur me mënyrat e trajtimit të konfliktit të interesit të deputetëve gjatë ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com