Shqipëria po përgatit gjeneratën e re të vajzave, të cilat do të jenë jo vetëm kurajoze në kërkimin e të drejtave të tyre, por edhe lidere të ardhshme.
Sot, drejtueset e “Girl Scouts of Albania”, themeluesja e organizatës joqeveritare “Porta Rome Për Integrim” dhe tri vullnetare të Korpusit të Paqes, takuan Zv/Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Elisabeth Millard dhe të ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses-Ones në zyrën e Korpusit të Paqes në Tiranë.
Gjatë viteve të fundit, vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe homologët e tyre shqiptarë kanë bashkëpunuar për të krijuar “Girl Scouts” të Shqipërisë. Biseda sot u përqendrua në punën që gratë po bëjnë nëpër Shqipëri, për të përgatitur vajza me guxim, besim dhe karakter për të thyer barrierat dhe për të inkurajuar gratë të jenë aktore të ndryshimeve në Shqipëri.
Në 18 shtator të vitit të kaluar, Shqipëria u pranua për herë të parë anëtare e asociuar në Shoqatën Botërore të Vajzave Udhëheqëse (World Association of Girl Guides and Girl Scout).
Udhëtimi i VUSh (Vajzave Udhëheqëse të Shqipërisë) filloi vitin në gusht të 2016, kur WAGGGS dhe Korpusi i Paqes në Shqipëri organizuan trajnimin për trajnere për të përhapur misionin e VUSh në të gjithë vendin. Në janar të këtij viti, VUSh zgjodhi Bordin dhe në muajin prill delegacioni i vlerësimit të WAGGGS vizitoi Shqipërinë për të vlerësuar potencialin e VUSh për t’u bërë anëtar i asociuar.
Në korrik, VUSh mblodhi 4005 dollarë përmes një platforme online, për të mbështetur regjistrimin e organizatës në gjykatë dhe punën e liderëve në të gjithë vendin. Deri në këtë moment, mbi 200 vajza 6-16 vjeçe dhe vullnetare i janë bashkuar lëvizjes në 10 qytete të ndryshme të Shqipërisë. /atsh