Flamur Mema është 43 vjeç nga Maminasi. Ai i është drejtuar emisionit “Me zemër të Hapur” pasi ka konflikte me bashkëshorten e tij e cila është larguar nga shtëpia dhe sipas tij jeton me të dashurin.
Çifti ka 18 vjet martesë por konfliktet kanë nisur katër vjet më parë, kur Flamuri kuptoi që ajo fliste në rrjetet sociale me dikë tjetër. Flamuri dhe bashkëshortja e tij Marjeta kanë dy fëmijë. Flamuri ka dashur ta falë atë disa herë edhe pse e akuzon për tradhti bashkëshortore, por ajo nuk ka pranuar të rikthehet me të.
Flamuri së bashku me bashkëshorten kanë një biznes të përbashkët por siç shpjegon ai tashmë ajo e ka dëbuar Flamurin nga puna dhe veç kësaj situate ajo ka marrë me vete edhe letrat e shtëpisë të cilën Flamuri e ka trashëguar nga i ati. Por Flamuri veç rrëfimit të ngjarje ka kërkuar edhe rikthimin e gruas në shtëpi pasi për hir të fëmijëve ai do ta falë.
Ai tregon edhe gjendjen e vështirë ekonomike pasi është i papunë dhe bashkëshortja i ka lënë fëmijët me të. Mema thotë se e ka atë pamundur te përballojë jetesën pasi nuk ka asnjë të ardhur ekonomike.
“Ne jemi njohur në 2000 me Marjetën. Jam njohur nga një shok. U lidha me Marjetën. Kërkova dorën e saj vetë. Ajo më tha që dhe unë kam kaluar vështirësi se babai do të më fejojë me një tjetër. I thashë po qe puna për frikë jam kuksian unë mos ki merak. Ramë dakord. Unë shisja rroba tek shkolla e Baletit dhe ajo punonte. Bëmë shtëpinë në Maminas për hir të vajzës se na tha doktori do ajër të pastër. Shkonim shumë mirë, gruaja më thoshte do jetojmë bashkë deri në fund, do vdesim bashkë. Pastaj i pashë bisedat në rrjetet sociale. Dhe vajza e di mirë, e ka parë me të dashurin”, tregoi Flamuri.
Por në emision ka ardhur edhe zëri i gruas së tij Marjetës. Duke qarë në telefon, Marjeta tha se ka jetuar me Flamurin për shkak të mentalitetit por se nuk mundet më, duke e akuzuar burrin për dhunë ndaj saj dhe fëmijëve. Ajo tha se Flamuri pi hashash dhe i ka shitur të gjitha gjërat në shtëpi.
“Marjeta ka duruar një njeri të tillë për 18 vjet. Të durosh një burrë që është përdorues narkotikësh dhe që e mban familjen duke vjedhur dhe duke dhunuar.
Ai e detyron vajzën të dalë rrugëve. Unë nuk besoj që është normale. Për një vit kam marrë 3 urdhra mbrojtje. Unë kam punuar, çoja gjëra në shtëpi ai i merrte i shiste. Ka kërcënuar klientët, miqtë e mi. ‘Po s’ma hapi telefonin ajo k**, do ia tregoj unë’.
Unë nuk hap as punën dot se ai vjen. Më ka thyer telefonat, më ka goditur në rrugë. Më ka thyer makinën para 10 ditëve”, tregoi duke qarë Marjeta, raporton “BalkanWeb”.
E pyetur se përse i ka lënë fëmijët në duart e një dhunuesi, gruaja tregoi se i ka marrë por se vajza nuk do të rrijë me të për shkak se ajo nuk e lë të dalë, ndërsa djali po.
“I kam marrë fëmijët në shtëpi me qira në Tiranë. Nuk kam lënë gjë pa provuar. Kam bërë 2 herë letrat për të marrë fëmijët. Vajza nuk do të rrijë më mua se do të dalë. Djali do. E kam nisur divorcin. Unë nuk punoj dot se vjen zotëria e më bën skandal. Atë mentalitet që ka ta përdorë në familjen e vet dhe jo në kurrizin tim. Unë fle te shoqet, tek daja im se nëse ai merr vesh që kam shtëpi vjen e thyen.
Nuk kam krijuar lidhje fare. Kam shoqëri shumë të mirë. Flamuri e quan marrëdhënie bashkëjetese që gruaja të punojë gjithë ditën, ai të dalë nëpër lokale. Flamuri po nuk piu një cigare hashash në ditë nuk është i lumtur. Flamuri nuk di të rrijë me familjen, të dalë me familjen.
Si mund të bashkohem me të, kur unë blija gjëra dhe kur çohesha në mëngjes nuk i gjeja. Deri tek tavolina e mesit”, tha gruaja.
Flamuri pranoi që ka 20 vjet që pi hashash por se kjo e ndalon të kryejë krime dhe e bën të jetë më i dashur me familjen.