Loading...

Policia Rrugore, masa shtesë për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës

Drejtori i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Shtetit, Mitat Tola, i bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe turistëve të huaj të rrisin kujdesin në drejtimin e automjeteve, si dhe të shmangin përdorimin e telefonit, pijeve alkoolike e manovrave të rrezikshme në rrugë, të cilat mund të bëhen burim aksidentesh fatale.

Në një konferencë për shtyp Tola theksoi se “pavarësisht të dhënave pozitive në tërësi të periudhës së deritanishme, për ngjarjet me pasoja në rrugë, nisur nga ngjarjet e tre ditëve të fundit, nisur edhe nga shkaqet e evidentuara të këtyre aksidenteve, kërkojmë t’i tërheqim vëmendjen drejtuesve të mjeteve që të rrisin kujdesin në drejtimin e mjeteve në rrugë, të moderojnë shpejtësinë, të evitojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë si parakalimet e gabuara dhe manovrat e papërshtatshme”.

“Bashkëatdhetarëve turistë që ndodhen me pushime në vendin tonë u kërkojmë të marrin kohën e duhur për pushim dhe udhëtim, sidomos kur janë familjarisht në udhëtim me mjetet e tyre, të evitojnë përdorimin e pijeve alkoolike”, u shpreh ai.

Tola bëri të ditur se “Policia Rrugore ka evidentuar faktin së në aksidentet e ditëve të fundit, janë përfshirë këmbësorë – ndaj apelojmë këmbësorët: të respektojë me korrektësi rregullat e qarkullimit; të kalojnë në vijat e bardha dhe mbikalimet, pasi edhe nga vëzhgimet e patrullave të Policisë Rrugore në rrugë urbane dhe interurbane, shumica e këmbësorëve nuk i respektojnë ose i respektojnë pjesërisht normat e sjelljes në rrugë”.

“Në qendrat e banuara dhe në zonat rurale një tjetër kategori drejtuesish mjetesh të përfshirë në aksidente, janë edhe drejtuesit e çiklomotorëve. Shërbimet e Policisë Rrugore po vazhdojnë kontrollet për këtë kategori mjetesh, me synim evidentimin e atyre shtetasve, që i drejtojnë pa leje drejtimi përkatëse, që nuk vendosin kaskon mbrojtëse”, theksoi Tola.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe ndaj grupeve të çiklomotoreve që janë të punësuar për llogari të bareve dhe restoranteve, duke kërkuar nga pronarët e subjekteve, plotësimin e kushteve për këta drejtues, kasko dhe veshje reflektuese të personalizuara konform kërkesave të legjislacionit shqiptar.

“Në të gjitha Drejtoritë e Qarqeve dhe veçanërisht në zonat bregdetare, Policia Rrugore është duke kryer shërbime me orë të shtuara, me qëllim përballimin e fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror”, përfundoi drejtori Tola./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com