Kjo është ndër recetat më të mira shqiptare e cila bashkon gjithë familjen rreth tryezës për të shijuar një ndër byrekët më të shijshëm.
Përbërësit (Për brumin)
500 gr miell
1 lugë gjelle kripë
250 ml ujë i vakur
(Për mbushjen)
3 kokrra qepe
4-5 speca të kuq dhe jeshil
3 kokrra domate
3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë dhe pak piper
Përgatitja e mbushjes me domate dhe speca
Si fillim grijmë fare hollë qepët. Në një tigan hedhim vajin e ullirin e më pas qepët për t’i skuqur derisa volumi i tyre të bjerë dhe të marrin një ngjyrë të artë.
Në kohën që qepët skuqen hedhim edhe kripën, e nëse dëshirojmë edhe pak piper.
Më pas, grijmë specat dhe domatet në copa të vogla.
Për t’u hequr me lehtësi lëkurën e domateve më parë i fusim për pak minuta në ujë të ngrohtë.
I hedhim në tiganin ku kemi skuqur qepët si fillim specat dhe më pas domatet.
Mbushjen e byrekut vijojmë ta skuqim derisa domatet të treten dhe masa të bëhet në formën e salcës kompakte.
Më pas e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
Përgatitja e brumit për byrekun
Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.
E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte dhe e ndajmë në dy pjesë të barabarta.
Pjesën e parë të brumit e ndajmë në 10 toptha të vegjël dhe secilin prej topthave nisim t’i hollojmë në petë të vogla.
Të gjitha petat e hapura i vendosim njëra mbi tjetrën duke e spërkatur secilën me disa pika vaj ulliri.
Sigurohemi që petën e fundit të mos e lyejmë me vaj por ta përdorim për të mbuluar petët e tjera.
Më pas, të gjithë petën e krijuar nisim ta hollojmë në përmasat e tepsisë që kemi për petanikun.
Me ndihmën e furçës së kuzhinës, tepsinë e lyejmë me vaj ulliri.
Më pas shtrojmë në petën që kemi holluar duke e puthitur në sipërfaqen e tepsisë.
Hedhim mbushjen me speca dhe domate mbi petën që kemi shtruar në tepsi.
Edhe për petën e sipërme veprojmë në të njëjtën mënyrë si me petën e parë.
Pasi e kemi hapur e vendosim mbi mbushjen që kemi shtruar, kujdesemi që të bashkojmë mirë anët e të dyja petave.
Byrekun e spërkasim me disa pika vaji ulliri në pjesën e sipërme.
E fusim për ta pjekur në furrë me 200 gradë. Byreku piqet përreth 30 minuta.