Janë thuajse të pangjashme ato raste, kur një shkrimtar flet pa dorashka për nënën e vet. Jemi mësuar zakonisht me figura të ëmbla, të dhembshura, të sakrifikuara.. Shumëkush është përpjekur ta tregojë shumë më shumë nga ç’ka qenë në të vërtetë, edhe pse me gjasë asnjëherë nuk ka një kut matës në atë ç’ka është nëna për ty. E megjithatë, Kadare flet ndryshe.. Tek e fundit, ashtu si ka bërë në gjithë sa ka shkruar përgjatë gjithë karrierës së tij si shkrimtar. “Kukulla” është shembulli i përshkrimit të tjetërllojtë për figurën e nënës. Një nga ato raste që janë të rralla, jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore. I tillë, i pangjashëm me një të dytë, është edhe rrëfimi i tij, në një bisedë konfidenciale me drejtuesen e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Lili Sula. Si vjen “Kukulla” në letërsinë shqipe dhe cila ishte marrëdhënia e shkrimtarit me të ëmën.
LILI SULA
Siç e përmendët, janë të njohura dy forma kryesore marrëdhëniesh mes fëmijëve, (shkrimtarëve të famshëm) me prindërit e tyre. Ç’mund të na thoni për rolin e kujtesës në sendërtimin e Kukullës-nënë?
Është një nga pakënaqësitë e mia! Kam edhe pakënaqësi të tjera, për të cilat kam shkruar edhe gjetkë, siç janë, për shembull, bisedat e tyre në mëngjes, të cilat nuk më pëlqenin fare, për arsye thjesht egoizmi. Mendoja se ata duhet të mendonin të më martonin mua [qesh], e jo të flisnin për ato gjepura; jo nuk na dalin paratë, jo kështu e jo ashtu… Në të vërtetë, unë kisha marrëdhënie të mira me prindërit. Babai dhe nëna ishin njerëz krejt të kundërt. Babai (Haliti) ishte serioz e i heshtur. Kur kam shkruar se babai bënte gjyqe në shtëpi, nuk është trillim, por e vërtetë. Babai im ishte ftues gjyqi. Ftues gjyqi është postier i gjyqit, postier special që dërgon dokumentet gjyqësore.
Pra, ishte një postier i besuar. Një pjesë të kohës e kalonte në sallën e gjyqit. Tërë jetën ka dëgjuar sekrete gjyqësore, që janë të pafundme në një qytet si Gjirokastra; sekrete intime nga ndonjëherë, sekrete që kishin lidhje me trashëgiminë, me tradhtinë bashkëshortore, me tapitë, me ndarje pasurish e të tjera si këto. Ai nuk tregonte asgjë lidhur me to. Ishte institucional, respektonte shtetin, ashtu siç ishin burrat gjirokastritë në përgjithësi.
E siç po thosha, bisedat e tyre të mëngjesit ishin përgjithësisht për anën ekonomike, por unë e kisha mendjen se si nuk më martojnë, të mendojnë për martesën time. Isha dymbëdhjetë–trembëdhjetë vjeç dhe doja të martohesha [qesh]. Të gjithë ne të vegjlit ishim me ëndërrime të tilla. Ëndërronim si është trupi i femrës dhe thoshim ç’bëjnë këta prindërit tanë, duhet të mendojnë të na martojnë [qesh]. Ishim idiotë nga mendja. Ka sinqeritet [te ‘Kukulla’], por kryesorja është që kam respektuar artin. Kam gjetur një personazh në familjen tonë, që ishte e lindur për letërsi.