Baypassi Fier –Vlorë vihet në rrugën e zgjidhjes
TIRANË, 14 korrik /ATSH/- Qeveria ka vënë në rrugën e zgjidhjes problemin e Baypass-it Fier –Vlorë që mban peng prej vitesh qarkullimin në jugun e vendit.
Ministri Infrastrukturës dhe Energjetikës Damin Gjiknuri deklaroi sot nga Tepelena se, “më datën 6 gusht 2018, pritet dorëzimi ofertave finale ekonomike të projektit dhe më pas për lidhjen e kontratës me qëllim që këto dy bypasse të përfundojnë plotësisht”.
“Angazhimi i qeverisë për të kryer me çdo kusht investime me standarde dhe parametra bashkëkohorë në infrastrukturën rrugore, siç është edhe ky bypass do të jetë një ndryshim thelbësor në lehtësimin e qarkullimit e trafikun të lëvizshmërisë, sidomos për të gjithë zonën e turistike të jugut të vendit, por edhe për faktin se kjo nyje e rëndësishme kombëtare, lidh Shqipërinë me Greqinë”, u shpreh Gjiknuri.
Bypass i Fierit
Projekti i referohet ndërtimit të një bypass-i rrugor të tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit (Bypass-i i Fierit) me gjatësi afërsisht 22 km. Bypass-i i Fierit është pjesë e një korridori të rëndësishëm për, nga Veriu në Jug ( nga Lushnja në Vlorë),
Aksi rrugor do të kalojë në perëndim të Fierit, midis qytetit dhe vijës së bregut. Ai përshkon Lumin e Semanit, një rrjedhë e rëndësishme uji, i cili bashkohet me lumin Gjanica.
Aksi rrugor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, për zhvillimin industrial dhe të turizmit, dhe ka një impakt të rëndësishëm në bujqësi, meqënëse Fieri është rajoni më i rëndësishëm i prodhimit bujqësor në vend.
Aksi rrugor i mëparshëm, që kalonte pranë vendndodhjes së trashëgimisë kulturore të Apolonisë dhe brenda perimetrit të përcaktuar për mbrojtjen e saj, u modifikua duke marrë parasysh kundërshtimet e Ministrisë së Kulturës dhe ato të popullsisë dhe autoriteteve vendase. Aksi rrugor aktual kalon në një përvijim tërthor (rreth 2.5 km) larg nga kjo vendndodhje.
Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i 3 urave me gjatësi nga 80 m secila në Lumin Seman, në kanalin e Hoxharës dhe atë të Pojanit.
Jane parashikuar gjithashtu 4 kryqëzime.
Bypass-i i Vlorës
Bypass-i i Vlorës lidh autostradën Levan – Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë- Sarandë.
Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga Rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan -Vlore.
Rruga do të ndjekë drejtimin e veriut në shtratin e lumit para se të kthehet në lindje pas ndërtesave të fundit./atsh