Si një qytet turistik, në Vlorë është investuar shumë në rikonstruksionin e rrugëve dhe ndërtimin e akseve të reja, të cilat kanë lehtësuar trafikun dhe kanë dhënë imazh të ri për turistët. Kështu, Pylli i Sodës nga një zonë krejtësisht pa infrastrukturë është transformuar pas ndërtimit të rrugës në një park modern, në funksion të qytetarëve dhe të turistëve.
Ndërkohë, ka nisur edhe ndërtimi i një aksi tjetër nga Pylli i Sodës për të krijuar një unazë të re, që do të lehtësojë mjaft trafikun, pasi Vlora mbipopullohet nga pushuesit sidomos gjatë sezonit veror turistik.
Me përfundimin e rrugës së Kaninës, infrastruktura i ka dhënë një zhvillim të ri agroturizmit në këtë zonë dhe ka hapur perspektivë të madhe për banorët.
Me ritme të mira po ecet edhe në rrugën e Lumit të Vlorës, ku brenda vjeshtës pritet të përfundojë segmenti prej 23 kilometrash deri në Gjorm dhe janë në procedim 2 segmente të tjera drejt Kuçit dhe Qeparoit./atsh