Lajme nga Vlora.
Pas Lungomares po punohet në segmentin e parë të Bulevardit “Ismail Qemali” të qytetit të Vlorës, Rruga Vlorë-Skelë rreth 2 km e gjatë.
Projekti është special për një bulevard historik si Ismail Qemali i Vlorës, i cili lidh Sheshin e Flamurit me Sheshin Pavarësia në Skelë. Puna ka kohë që ka nisur që nga themelet e rrugës së vjetër, duke u instaluar në shtratin e bulevardit të gjithë linjat modern të kohës si dhe kanalizimet dhe tubacionet përkatës të të gjit ha dimensioneve.
Në disa pjesë të segmentit të parë që ka nisur nga rrethrrotullimi i Skelës deri tek pallati “Aleksandria”, pas mbushjes dhe shtrimit me gurë dhe çakëll, është bërë shtrimi i trotuareve, por jo si zakonisht, por me rrjetë hekuri të betonuar duke e bërë të pavdekshëm. Sipër saj syri të sheh shtrimin me gurë dekorativ të dimensioneve dhe variacioneve të ndryshme, sjellë nga Labëria dhe disa zona të Shqipërisë.
Projekti parashikon vendosjen e shumë pemëve në 3-4 rreshta në të gjithë gjatësinë e bulevardit, si dhe aksesor të tjerë, të cilët në përfundim do të na japin një super bulevard, i krahasueshëm me bulevardet më të famshëm të botës.
Por kjo punë do pak durim, sepse shkakton edhe bezdisjen e qytetarëve që banojnë aty nga zhurma dhe pluhuri, atyre që kalojnë aty, por edhe të bizneseve përgjatë bulevardit, të cilët ndihen në vështirësi deri sa të përfundoi projekti.
Por Vlora turistike duhet zhvilluar dhe begatuar, duhet kthyer në një qytet të krahasueshëm me qytetet e zhvilluara të Mesdheut dhe Europës, sepse Vlora është thelb i Shqiptarisë dhe krenari kombëtare.Clirim Hoxha