Bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, Linda Rama, ishte sonte e ftuar ‘Në kurthin e Piter Panit’ në Tv Klan, ku u përball me pyetjet e sinqerta të fëmijëve, të cilët e vunë edhe në vështirësi.
Njëri prej vogëlushëve e pyeti atë se cili e kishte rrogën më të madhe, ajo apo Edi Rama. Linda u përgjigj se kjo nuk kishte fare rëndësi, pasi familja përbëhej nga dashuria dhe nuk kishte rëndësi se kush e kishte rrogën më të madhe.
Mirëpo vogëlushi insistoi disa herë për të marrë përgjigjen e pyetjes që kishte bërë
“Nuk ka rëndësi fare se kush e ka rrogën më të madhe. Përveç punës, familja ka dhe shumë punë të tjera që duhet të bëjë brenda. Të gjithë duhet të kontribuojnë në familje. Nuk është vetëm rroga kontributi, nuk ka rëndësi. Është dashuria gjëja më e madhe në familje.”- i thotë Linda atij.
“Këtë e kuptova, por pyetja është kush e ka rrogën më të madhe?”- e pyet sërish vogëlushi.
“Ja që unë nuk e di, sepse nuk e kam menduar kurrë ta llogaris, sepse nuk ka rëndësi fare për mua kush e ka rrogën më të madhe. Ka rëndësi se sa kontribuojmë të gjithë në familje, sa e duam njëri-tjetrin. Prandaj je ti gazetar kaq i mirë, sepse ti nuk mbaron, ti do patjetër përgjigjen tënde, por unë këtë përgjigje kam.”- e mbyll Linda.