Gazetarja e njohur Sonila Meço përmes një shkrimi në rrjete sociale shprehet se në Shqipëri ka ndodhur revolucioni mediatik.
Nga Sonila Meço
Revolucioni mediatik në Shqipëri ka ndodhur.
Me një naivititet të pashpjegueshëm, moderatorët dhe gazetarët televizivë nuk e paskan ditur se konkurencën e shfrenuar nuk e kanë mes vedi, por nga politikanët, liderët politikë. Ndiqni se si konkurohen sot prezantuesit e moderatorët televizivë me kohë e shfaqje mediatike nga të zgjedhurit e popullit, që punën e përditshme në shërbimin publik për të cilën janë votuar e ofrojnë si programe televizive me regji, skenar, skenografi, skaletë, monologë, komplimenta e lëpirje tipike të racës mediatike.
Kjo konkurencë, kjo smirë që u paska ngrënë shpirtin në heshtje, u është shndërruar në motiv aq të fortë, sa për të zënë pa takt e me përdhunë vendin e moderatorëve e gazetarëve, ndonjëherë edhe gaztorëve televizivë. Spostim i realizuar me atë ngacmimin e llahtarshëm të zilepsjes, të sensit të protagonizmit, të një habie deri në çmenduri të tipit “Kush kujtojnë se janë ata?!” për të realizuar jo vetëm politikën e PR-it (jo, jo kjo nuk është asgjë), por zëvendësimin kokë më kokë të njerëzve mediatikë, që me hapësirën, famën dhe ndikimin e tyre u kanë prishur gjumin e natës politikanëve, zyrtarëve publikë, nga qeveria qendrore tek ajo lokale.
Madje me një revansh më shumë: “Kur gazetarë e moderatorë televizivë mësyjnë hapësirën tonë, politikën, duke na konkuruar ne”, thonë ata, “si mos guxojmë ne edhe për këtë arsye t’u shkatërrojmë habitatin natyral, pasi t’ua zotërojmë Bizantin e tyre?”