Dy vite më parë i ftuar në “Tonight” të Ilva Tares, kryeministri Edi Rama iu drejtua gazetares se është e papërgatitur duke u shprehur se fakti që është me fëmijë të vogël, nuk i lë kohë të informohet.
“Kështu është kur interviston kryeministrin e papërgatitur po edhe s’keni faj se keni fëmijë te vogël”, i tha Rama.
“Mos kini merak se kjo s’më ka penguar aspak të përgatitem, por je ti qe duhet të kishe ardhur para dy javësh këtu”, ja ktheu Ilva Tare.
Gazetarja ishte e ftuar dje në “Xing me Ermalin” ku e pyetur lidhur me këtë moment, Ilva u shpreh se kjo është taktikë e kryeministrit.
“Unë e mbaj mend shumë mirë edhe pyetjen për të cilën bëhej fjalë. Ka qenë një pyetje që lidhej me kriteret e pakuptueshme të heqjes së ndihmës ekonomike. Dhe kryeministri dihet i ka ato gjetjet e tij që kur nuk do të përgjigjet, devijon dhe e zhvendos bisedën në një plan tjetër. Këtë bëri dhe ai dhe ja doli se nuk u bë lajm mospërgjigja e tij për ndihmën ekonomike, por u bë çfarë më tha mua. Ishte thjesht një taktikë”, u shpreh Ilva Tare.