Bashkë me vapën rritet edhe numri i aksidenteve në Shqipëri. Vetëm këto tre javët e fundit të paktën 12 persona kanë humbur jetën nga përplasjet me makina.
Ndërkohë numri i të plagosurve është shumë më i lartë.
Por duke u nisur nga statistikat e viteve të kaluara, numri pritet të rritet pasi do të shtohen lëvizjet gjatë sezonit turistik.
Kjo pasi emigrantët shqiptarë kthehen në vendlindje për pushime dhe turistët nga Kosova apo fqinjët e tjerë shtohen. Kjo bën që trafiku të rëndohet dhe mungesa e sinjalistikës në Shqipëri i shton edhe më shumë përplasjet.
Rrugët me gropa dhe pa sinjale janë një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve. Por nuk janë i vetmi shkak pasi shoferët në këtë periudhë rrisin edhe konsumimin e alkoolit si dhe përdorin shumë telefonin, shkruan TCH.
Shoferët humbin shpesh vëmendjen për shkak të celularëve, gjoba për përdorimin e të cilëve shkon në 1000 lekë.
Vetëm në 6 muajt e fundit 10 mijë shoferë janë penalizuar për këtë fakt, ndërsa ka rënie drastike numri i penalizimeve për mospërdorimin e rripit të sigurimit. Një drejtues automjeti që kapet pa rrip penalizohet rëndë dhe duket se kjo ka rritur numrin e atyre që vendosin rripin para se të ndezin makinën.
Gjithashtu problem tjetër është mosrespektimi i të drejtave të këmbësorëve në rrugë dhe kjo ndodh më së shumti në Tiranë.
Aksidenti më i fundit me vdekje ishte sot në Shkodër ku një 62-vjeçare u përplas për vdekje nga një 54-vjeçar, i cili më pas u arrestua nga policia.