Shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan të cilët kërkojnë dhe blejnë makina të vjetra për të ulur sa më shumë kostot e blerjes së tyre.
Mirëpo kjo situatë ndikon shumë në ndotjen e mjedisit nga emetimi i gazit, çka për vendin tonë është një ndër problemet kryesore.
Në vendet e tjera të Bashkimit Evropian mosha mesatare e veturave është 10-vjeçare, mirëpo në Shqipëri ajo është gati 20 vjeçare.
Zyrtarisht sipas drejtorisë së përgjithshme të doganave për 4 mujorin e 2018, për çdo makinë të re të importuar janë futur 16 të tjera të përdorura.
E njëjta tendencë ka qenë edhe në tre vitet e fundit. Raportet mes importit të makinave të reja dhe atyre të përdorura është me diferencë të madhe.
Sipas të dhënave zyrtare mbi 80% e automjeteve janë prodhime para vitit 2007.
Aktualisht në Shqipëri, nuk ka ndonjë pengesë për importin e mjeteve të vjetra, mjaftojnë që ato të mos kalojnë disa parametra për ndotjen.
Ndonëse është thënë shpesh se këtë vit do të dilnin nga qarkullimi mjetet e vjetra, ende nuk është bërë asgjë konkrete lidhur me këtë problem.
Automjetet e vjetra kanë kosto shumë të lartë mirëmbajtje, ndërkohë ndikimi i tyre në mjedis është shumë i lartë, për shkak të gazrave dhe tymit që lëshojnë.
Dalja e makinave të vjetra nga qarkullimi ka ndikim në mjedis, sidomos në Tiranë, ndërkohë rrit edhe sigurinë rrugore. Kjo, pasi viti i prodhimit të tyre bën që të mos kenë sensorë që ti përshtaten periudhës kur qarkullojnë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka deklaruar vitin e kaluar se zëvendësimi i automjeteve do të bëhet gradual, duke i dhënë mundësi të gjithëve të kalojnë në një mjet më të mirë se ai që kanë, duke minimizuar në maksimum kostot./Pamfleti