Edhe pse aventura e tij në Big Brother mbaroi herët, ai u kthye në një personazhet që mori vëmendjen e mediave, sidomos për lidhjen që krijoi me një tjetër banore Sidritën. Bëhet fjalë për Ervin Zylfin, i cili ditën e sotme ka dhënë një intervistë për ‘Panorama Plus’ ku ka rrëfyer jetën e tij të re në SHBA.
Ervini prej disa kohësh është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe siç ka treguar ka filluar edhe karrierën e tij në kinematografi dhe modeling.
“Amerika të ofron mundësi që në vendin tim, fatkeqësisht, nuk pata mundësi t’i zhvilloja. Eksperienca më ka vlejtur, sepse po korr sukses edhe këtu.”, ka rrëfyer ai.
Ndërkohë siç ka treguar edhe më parë, dëshira e tij është që të bëhet aktor dhe mesa duket e ka arritur, pasi është duke punuar për një film të ri në SHBA.
“E vërtetë, kam një projekt shumë të mirë, i cili pritet të finalizohet në muajt në vijim. Për momentin, vetëm kaq mund të zbuloj.”, ka treguar Ervini.
Ndërsa për punën e tij si model, Ervini është pyetur se nëse tani që ka shkuar në Amerikë ka marrë oferta nga markat ndërkombëtare dhe ai është përgjigjur : “Sigurisht që kam pasur. Fati im që Zoti më ka atribuar të gjitha cilësitë e një mashkulli për t’u marrë shembull nga të tjerët. Sigurisht që të huajt e vlerësojnë shumë marketingun dhe imazhin. Më duhet ta pranoj që pamja është vetëm impakti i parë, pasi pas saj qëndron një punë kolosale.”, ka përfunduar ai.
Ervin Zylfi është përfolur edhe më parë se do të bëhej pjesë e një filmi në Turqi, por siç ka treguar dhe ai tashmë ndihet shumë i lumtur që ndodhet në Amerikë dhe po realizon ambiciet dhe ëndrrat e tij.