Loading...

Flet policja bukuroshe që ‘ua mbledh shoferëve’: Ja pse na kanë frikë meshkujt…

Puna në Policinë e Shtetit është sa e vështirë, po aq edhe e bukur. Të paktën kështu e konsideron një nga punonjëset e Policisë Rrugore, Ermela Lika. 26-vjeçarja, në një rrëfim për “Shekulli-n”, shprehet mjaft e kënaqur për profesionin që ajo ka zgjedhur të ushtrojë.

Ermela kryen shërbime nëpër rrugët e Tiranës që prej dy vite. Ajo tregon se si është një ditë e zakonshme pune për të, ndërsa thotë që punën në Policinë e Shtetit e aq më tepër në Komisariatin e Policisë Rrugore, e ka zgjedhur nga dëshira dhe pasioni i madh për të.
Gjatë intervistës, 26-vjeçarja tregon edhe për vështirësitë që has gjatë kohës që ndodhet në punë.

“Reagimet janë të ndryshme, jo të gjithë e pranojnë masën ndëshkuese. Femrat në Polici janë më të rrepta dhe meshkujt nuk janë aq sportiv në këtë rast”,- shprehet ajo lidhur me reagimet që merr nga drejtues të ndryshëm automjetesh.

1- Sa kohë keni që punoni në Policinë Rrugore?

Kam gati dy vite e tre muaj që jam pjesë e Policisë Rrugore, që nga momenti që kam përfunduar Akademinë e Rendit e deri në këtë moment. E bëj me dëshirë këtë punë dhe dua ta vazhdoj për një kohë të gjatë.

2- Kush ka qenë arsyeja që ju bëri të zgjidhni këtë profesion?

Thjesht dëshira dhe pasioni që unë kisha të bëhesha pjesë e Policisë së Shtetit, veçanërisht pjesë e Policisë Rrugore. Them se ia arrita fillimisht, tashmë jam aty ku dëshiroja.

3- Si është një ditë pune për ju? Në cilat zona të Tiranës gjendesh më tepër?

Kur jam turn i parë, dita ime fillon me zgjimin qysh në orën 05:00 të mëngjesit. Pasi bëhem gati, më duhet të shkoj në komisariatin e Policisë Rrugore në orën 06:00. Aty marrim të gjitha porositë e dhëna dhe vendin e shërbimit nga ana e eprorëve tanë, për të vazhduar punën në orën 06:30. Përsa i përket zonave ku unë shërbej, mund të them që gjendem në të gjitha zonat e kryeqytetit. Por, vendi ynë i shërbimit ndryshon nga dita në ditë. Shpeshherë unë caktohem për shërbim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, te rruga “Myslym Shyri” apo edhe në ish-Bllok. Këto janë segmentet që unë kam kaluar më shumë kohë në shërbim.

4- A është pengesë ky profesion për familjen tuaj?

Jo, nuk është aspak pengesë… Madje mund të them me bindje që familja ime ka qenë e para që më ka mbështetur fort në këtë profesion që unë kam zgjedhur. Kjo pasi, fillimisht femrat edhe hasen në vështirësi kur marrin një detyrë të tillë.

5- Keni pasur ndonjë rast ku jeni gjendur në vështirësi gjatë orarit të punës?

Rastet më të vështira për mua janë aksidentet me pasoja të rënda. Në këto raste edhe mund ta ndjesh veten në vështirësi. Të gjesh dikë në gjendje kritike për jetën, domosdoshmërisht që do ta ndjesh veten në vështirësi. Do të duhet t’i japësh ndihmën e shpejtë dhe ta dërgosh në spitalin më të afërt dhe do duhet që çdo gjë të shkojë sa më mirë. Më pas duhet të kryesh të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes për të gjetur shkakun pse ka ndodhur.

6- Ndikon puna në jetën tënde personale?

Jo, nuk ndikon në asnjë lloj aspekti… Ka qenë dëshira ime që në fillim dhe, kur zgjedh një profesion që ti e do në të vërtetë nuk ndikon në jetën si familjare po ashtu edhe personale.

7- Puna në Policinë e Shtetit është cilësuar si një nga profesionet më të vështira. A je penduar që e ke zgjedhur?

Është një nga punët më të vështira, por pa harruar që është një nga punët më të bukura e më me dinamikë. Për sa i përket zgjedhjes që unë kam bërë, nuk jam penduar asnjëherë. Kur vjen fundi i ditës dhe ti ke përfunduar shërbimin tënd, ndihesh mirë nga njëra anë pasi i ke shërbyer mijërave qytetarëve në trafik, duke hequr më pas mënjanë lodhjen e pamasë.

8- Kthehemi në terren. Cilat janë reagimet e qytetarëve kur vendosni gjoba apo bëni ndalime në rast thyerje rregullash?

Reagimet janë të ndryshme, jo të gjithë e pranojnë masën ndëshkuese që u vihet nga punonjësi i Policisë Rrugore. Janë raste të pakta ata që e pranojnë masën ndëshkuese pa bërë një kundërshtim.

9- Kur drejtuesit meshkuj hasen me një police femër, i marrin gjëra më me sportivitet?

Jo nuk e besoj. Mendoj që femrat në Polici janë më të rrepta dhe meshkujt nuk janë aq sportiv në këtë rast, si të thuash na e kanë pak “frikën”. Ndërsa femrat mund të them që i marrin me sportivitet gjërat kur kanë përballë një punonjëse femër. Por gjithsesi jo të gjitha, ka edhe raste kundërshtimi.

10- Po raste dhune apo kundërshtimi keni pasur ndonjëherë?

Raste dhune jo. Ndërsa kundërshtime kemi pasur në shumë raste.

11- Në rast kundërshtimi si veproni?

Për shembull, në rastet kur drejtuesit nuk paraqesin dokumentacionin e mjetit kur ju kërkohet nga punonjësi i Policisë , për kundërshtim shoqërohen në komisariat dhe atyre iu pezullohet leja e drejtimit të automjetit.

12- A janë ndërgjegjësuar ndopak qytetarët kohët e fundit me shtrëngimin e Kodit Rrugor, me shtimin e vlerës së gjobës?

Po sigurisht që janë ndërgjegjësuar. Reagimet e tyre janë shumë më ndryshe kur vlerat e gjobës kanë qenë më të ulëta.

13- A gjen kohë për argëtim, si e kalon pjesën tjetër të ditës pasi lë turnin e shërbimit?

Gjej kohë për argëtim në ditët e mia të pushimit. Tani jemi edhe në verë, kështu që kemi edhe më shumë mundësi argëtimi… Kohën duhet të dish si ta menaxhosh, pavarësisht se pjesën më të madhe ta merr puna në terren. Por përsëri, unë mundohem që t’ia plotësoj vetes të gjitha dëshirat…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com