May 12, 2018

Shkoi si azilant, Mirditori bëhet deputet i parlamentit gjerman: Dua t’i tregoj botës se …

Kolë Gjoka, është shqiptari i parë që ka fituar të jetë deputet i CDU në Gjermani.

Një ngjarje e pazakontë për në realitetin gjerman, por edhe atë shqiptar.

Por 48 vjeçari nga Mirdita, dikur azilant në atë shtet, duket se ka ecur përpara ndërkohë që tentativat e tij te mëparshme për të qenë deputet i partisë së Merkelit, kishin dështuar, raporton newsbomb.al.

Zgjedhjet u mbajtën dy ditë më parë për këshillin e ri të Pinnebergut. CDU, sipas informacionit zyrtar në faqen e partisë, shënoi një rritje me 35.5 përqind të votave dhe fitoi 22 nga 62 vendet në këshill.

Në parti, mbante pozicionin e anëtarit të bordit këshillimor, anëtar i grupit civil e zëvendës në Komisionin për cështjet sociale e të barazisë gjinore.

Ai u largua nga Shqipëria në vitin 1996 dhe aplikoi si azilant në Gjermani.

Më pas, aktivitetin e vazhdoi si biznesmen, derisa vendosi të përfshihet në listat e CDU.

Kola ka treguar më parë se kandidimi i tij për në Bundestagun Gjerman i ka disa synime: përmirësimi sadopak i imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’iu treguar segmenteve të caktuara këtu se nga emigracioni nuk kanë ardhur vetëm “analfabetë”; një kurajo për të gjithë të huajt e ardhur në Gjermani, se me këmbëngulje, disiplinë dhe zbatimin e rregullave arrihet gjithçka të tregoj se Gjermania është vendi i të gjitha mundësive.

Shkoi si azilant, Mirditori bëhet deputet i parlamentit gjerman: Dua t’i tregoj botës se … Read More »

Ja kush është prokurorja që shkatërroi bandën e trafikantëve të Eskobarit shqiptar

Kjo qe shihni ne foto eshte prokurorja Elisabeta Imeraj e cka ka hetuar prej nje kohe te gjate grupin e trafikut te droges te shkaterruar sot me 19 persona ne pranga.

Operacioni policor sot ne gjithe vendin është kryer pas urdhrit të prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Imeraj e cila ka hetuar prej një kohe të gjatë, prej afro 8 muajsh, aktivitetin kriminal të trafikantëve.

Ajo ka ne dore edhe dosjen e ish ministrit te Brendshem Saimir Tahiri.

Ja kush është prokurorja që shkatërroi bandën e trafikantëve të Eskobarit shqiptar Read More »

Flet avokati turk i Izet Haxhisë: Nuk duhej ekstraduar. Ka dhe një rrezik për të

Profesor. Dr. Devrim Güngör prej shumë vitesh ka qenë avokati i Izet Haxhisë në Turqi. Ai është njeriu që ka ndjekur hap pas hap kalvarin e gjatë të procese gjyqësore për ish truprojën e Sali Berishës. Në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com avokati Güngör me detaje tregon se çfarë ndodhi gjatë të gjithë procesin e ekstradimit dy javët e fundit që u finalizua me kthimin në atdhe pas 19 vitesh të Izet Haxhisë.

Sipas avokatit qeveria turke i tha po ekstradimit, duke përdorur një letër garanci të qeverisë Berisha të vitit 2007, që sipas tij është e vjetër. Avokati thekson se nuk ka një letër të re me garanci lëshuar nga Ministria e Drejtësisë drejtuar prej Etilda Gjonajt.

Megjithëse Izet Haxhia ngulmonte të kthehej dhe të përballej me drejtësinë shqiptare, ashtu siç edhe e bëri, avokati i tij turk e ka quajtur ekstradimin jo të ligjshëm nga shteti turk, Profesor. Dr. Devrim Güngör shpreh një tjetër shqetësim që lidhet drejtpërdrejtë me jetën e Izet Haxhisë.

Z. Gungor, në çfarë rrethanash jeni njohur me Izet Haxhinë i cili më pas u bë klienti juaj?

Para se të isha avokat i Izet Haxhisë, e kisha njohur më parë atë. Kisha pasur rastin të qëndroja disa herë me të, të diskutoja. Por nuk isha avokati i tij. Që prej muajit maj, që po merrem me këtë çështje, më parë e kam njohur nga miq të afërt, ai jetonte këtu dhe e njoh Izet Haxhinë si një njeri të mrekullueshëm. E kam njohur këtu. Ai banonte në Pshelaçe. Atë e arrestuan. Pastaj, një i njohuri i tij erdhi në zyrën time, më foli për çështjen, dhe unë vajta e takova Izet Haxhinë, në burgun ku mbahej i burgosur, këtu në Seker.

Izet Haxhia ka patur disa procese gjyqësore madje çështja e tij e ekstradimit shkoi deri në Gjykatën Supreme turke. Çfarë mund të na thoni për këto procese gjyqësore të cilat dhanë vendimin se ai duhet të ekstradohej?

Kishte bërë tashmë një kërkesë për ta mbajtur atë në Turqi, si refugjat politik, dhe kërkesa e tij ishte hedhur poshtë. Prisni, po ju jap datën e saktë: më 2016. Kjo kërkesë iu hodh poshtë, por më pas, më pas, Zoti Izet Haxhia nuk e dinte, në vijim të intervistave të mia që kisha bërë në burgun e Seker, kërkesa e tij drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ishte pranuar dhe që, juridikisht, në Shqipëri, nuk kishin respektuar nenin 6, 1 dhe 3. Pra, kishte shkelje të nenit 6.

Pra është shkelur Konventa e të Drejtave të Njeriut?

Të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Por, për mendimin tim, gjykatat këtu në Turqi nuk e dinin. Dhe meqë as ai vetë nuk e dinte, ai nuk diti t’ua paraqesë autoriteteve gjyqësore turke, duke u thënë: “Ja, kërkesa për ekstradim nuk duhet të miratohet, sepse dënimi im prej 25 vjetësh është dhënë nga një juridiksion (një gjykatë) që ka shkelur nenin 6”. Kjo nuk ka ndodhur. Unë e kam njohur atë në mes të rrugës, por, përpara, ai, edhe në Turqi, është përfaqësuar nga një avokat para autoriteteve turke, por, avokatët, për mendimin tim, nuk e dinin se kishte një shkelje të nenit 6.

Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë, a ka vendosur qeveria turke ndonjë kusht?
Me kusht që Izet Haxhia të rigjykohet. Pse?

Sepse dënimi me 25 vjet është dhënë në mungesë të Izet Haxhisë. Për këtë arsye, qeveria turke ka kërkuar një garanci dhe qeveria shqiptare e ka dhënë këtë garanci. Izet Haxhia duhet absolutisht të rigjykohet.

Pra, Izet Haxhia duhet të rigjykohet por a ka dhënë garanci shteti shqiptar përpara se ai të kthehej në Shqipëri? Nëse po për çfarë garancish bëhet fjalë?

Po, shteti shqiptar, e kam dokumentin. Ai ka datën 6.4.2007. Nuk kemi marrë ndonjë dokument të ri nga qeveria aktuale. Por kjo është një letër garancie shumë e vjetër. Izet Haxhia këtu është burgosur dy herë. Në 2006. Pra, në 2006, ata kanë bërë një kërkesë, por atëherë Izet Haxhia nuk u ekstradua.

Kush i ka dhënë garancitë? Cili institucion? Ministria e Drejtësisë?

Po, Ministria e Drejtësisë në vitin 2007.

Si një avokat me një eksperiencë të gjatë, sa bindëse është kjo garanci në këndvështrimin juridik?

Jo, aspak.

Pra, kjo garanci nuk është e mjaftueshme për t’i hapur dritën jeshile ri-gjykimit të tij?

Aspak. Nuk është e mjaftueshme.

Përse nuk është e mjaftueshme?

Kërkesa për ekstradim që vjen nga Shqipëria mbështetet mbi një vendim. Por duke qenë se ka një shkelje të nenit 6, ndërkohë që Shqipëria është palë nënshkruese e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Këshillit të Evropës. Si të tillë, ata duhet të rifillojnë, pasi ka një shkelje të nenit 6. Ai është gjykuar, por vendimi nuk përputhet me të drejtat e njeriut. Sipas vendimit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ka shkelje të nenit 6. Pra, nuk mund të thuhet se ka vërtet një vendim dhe një dënim me burg të drejtë. A më kuptoni? Kjo është në kundërshtim me të drejtat.

Izet Haxhia kërkoi vetë të ekstradohej në Shqipëri. Shteti turk veproi drejtë apo jo me ekstradimin e tij?

Turqia nuk duhet ta kishte miratuar ekstradimin, pikërisht në vijim të një vendimi që shkelte nenin 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut dhe të ekstradonte një njeri që ishte gjykuar në Shqipëri në shkelje të nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Pra, fjalën e fundit për ekstradimin e tij e ka dhënë ministri turk i drejtësisë duke firmosur aprovimin e dërgimit të tij në Shqipëri?

Sipas procedurës turke, është kryeministri që duhet të nënshkruajë.

Ai e ka nënshkruar?

Është kryeministri. Sigurisht. Sipas ligjit aktual, është ministria e drejtësisë që bën kërkesën, që jep mendimin, dhe kryeministri që nënshkruan. Nëse kryeministri nuk nënshkruan, ekstradimi nuk akordohet.

Pra, a është nënshkruar dokumenti?

Sigurisht. Përndryshe, si do ta kishin ekstraduar. Nga kryeministri. Po.

Si e shikoni veprimin e shtetit turk në rast?

Për mua ky veprim është i padrejtë. Sepse, siç e shpjegova, ka një kërkesë për ekstradim në vijim të një vendimi të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka shpallur si një shkelje të nenit 6 (të Konventës).

Pra, ai nuk duhet të ekstradohej.

Jo, dhe për më tepër, ka dhe një rrezik për të. Ka shumë mundësi që tashmë Izet Haxhia të jetë në një situatë të pafavorshme. Nuk e di se në cilin burgun e mbajnë tani në Shqipëri. Ka shumë mundësi që situata e tij të jetë e pafavorshme.

Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me të dhe për çfarë folët?

Hera e fundit ka qenë të premten e kaluar, para ekstradimit. Më 4 maj. Dhe ai u ekstradua… Më datë 4 unë vajta e takova në burgun e Seker, më datë 7 ai u dërgua në Stamboll.

Herën e fundit kur keni folur çfarë shqetësimi ka paraqitur tek ju Izet Haxhia? A kishte shqetësime?

Kishte shqetësime të mëdha. Ai e di se kush e ka organizuar. Ai e dinte shumë mirë. Tani që shikon prapa, që mendon thellë, ai e di shumë mirë se si e kanë organizuar, e di se si ata kanë organizuar një komplot për ta tërhequr në këtë çështje. Ai kishte frikë për jetën. Edhe unë që prej 3-4 ditësh, jam i shqetësuar për jetën e tij. Jemi shumë të shqetësuar.

Planifikoni të vini në Shqipëri e ta takoni Izetin?

Aspak. Jo. Nuk e di. Ai ka avokatët e tij shqiptarë. Nëse ata kanë nevojë për mua, pse jo, unë jam gati të jap ndihmën time. Por nuk ka ndonjë planifikim.

Nga e gjithë kjo histori e cila u mbyll me ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri çfarë iu ka bërë më shumë përshtypje?

Për mua, i gjithë ky është një proces politik. Ka politikanë që rrezikojnë diçka prej tij. Politikanët nuk u japin shumë rëndësi ligjeve të zbatueshme aktuale.

Flet avokati turk i Izet Haxhisë: Nuk duhej ekstraduar. Ka dhe një rrezik për të Read More »

Cili do të jetë fati politik i Fatmir Xhafajt?

Fati politik i Fatmir Xhafës nuk mund të vendoset nga opozita e, në këtë rast, as nga njerëzit e familjes së tij.

Shkruan Bedri Islami

Fatmir Xhafa është ministri i brendshëm i shtetit shqiptar. Figurë e njohur politike dhe njëkohësisht njëri nga politikanët që kanë lidhur dy epoka të ndryshme, ashtu si edhe mjaft kolegë të tij në tri anët e parlamentit.

Në ditët e fundit, më shumë se më parë, ai është nën tehun e opozitës dhe kjo për një ngjarje që nuk lidhet drejtpërsëdrejti me të, por me të vëllain, quhet Agron Xhafa dhe që është i dënuar nga drejtësia italiane për trafikimin e drogës.

Dënimi i tij i vitit 2002 me 7 vite e dy muaj ka marrë formë të prerë në vitin 2012, kohë kur në Shqipëri ishte në pushtet opozita e sotme dhe që vazhdoi të qëndrojë edhe një vit e gjysmë pas dënimit të vëllait të ministrit të sotëm. Kërkesa e Xhafës së vogël për rishikimin e dënimit të tij, si duket është hedhur poshtë nga shkalla sipërore e drejtësisë së vendit fqinj, e po ashtu, deri tani, nuk ka pasur asnjë kërkesë për ekstradimin e tij ose për vuajtjen e tij në burgjet shqiptare.

Një nen i miratuar së voni, në vitin 2017, për të cilin akuzohet se ka ndryshimin e ministrit, atëherë kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe drejtues i Reformës në Drejtësi, është alibia e ngritur sot nga opozita, e cila kërkon edhe dorëheqjen e tij.

Në lojën pro dhe kundër tij janë përfshirë shumë figura të njohura, nga opozita e jashtë saj, nga shumica qeverisëse dhe jashtë saj dhe tani ka trokitur në dyert e përfaqësuesve diplomatikë në Shqipëri. Si për ta bërë edhe më të njohur gjithçka po ndodh, opozita e shqup-it politik, i ka drejtuar denoncimin e saj të gjithë shefave të qeverive të Bashkimit Evropian, strukturave të shërbimeve inteligjente, institucioneve të ndryshme evropiane.

Fatmir Xhafa ka qenë i akuzuar gjithnjë nga opozita. Ka pasur një luftë permanente ndaj tij, që nga dita kur u vendos të drejtonte Komisionin e Posaçëm për reformën në Drejtësi e deri më sot. Ai është akuzuar nga opozita si njeriu që ka qenë pinjoll i lëvizjes komuniste, si një njeri shërbyes ndaj diktaturës, duke nxjerrë në skenë, pa asnjë lidhje dhe dëshmi, të dhëna të fabrikuara, të cilat i përdori më pas edhe ish presidenti, kapter i politikës, Nishani. Ndaj tij janë ngritur gjithëfarë akuzash dhe janë përhapur gjithëfarë fjalësh, të cilat, aktualisht, këto ditë, kanë marrë një përmasë të veçantë.

Edhe fakti që ngjarja e të vëllait ka datën 2002, dhe që asaj kohe Fatmir Xhafa, drejtues i një ministrie paraqiti dorëheqjen tek ish kryeministri Nano, apo që disa herë radhazi ka dhënë dëshminë e tij sqaruese, nuk janë interesante për askënd në opozitë, nuk përbëjnë qetësim dhe, me patjetër, kërkohet shkarkimi i tij nga detyra.

Në dy ditët e fundit emri i zotit Xhafa u bë objekt debati, disi miqësor, mes shefit të qeverisë, Rama dhe ambasadorit amerikan, në fakt gardianit të Reformës në Drejtësi, zotit Lu, të cilët në distancë kërkuan të mbanin qëndrimet e tyre, por i pari duke u mbështetur tek i dyti dhe, ky i fundit, duke dhënë një sinjal se çështja Xhafa po shqyrtohet ende.
Dhe dihet se nga kush do të shqyrtohet.

Gjithçka ka qenë e ditur dhe e njohur. Agron Xhafa është dënuar në vitin 2002, vendimi ka marrë formë të prerë në vitin 2012, tani jemi gjashtë vite pas dhe pyetja e parë është pikërisht në këtë kohë, hapësirë mes ngjarjeve: përse tani?

Përse opozita e bën pikërisht tani çështjen Xhafa moto të saj dhe hedh në sulm të gjitha bateritë infantile që ka pas vetes?

Kë pengon zoti Xhafa, cila hallkë është në këputje dhe përse duhet domosdo të zhvendoset ai, qoftë edhe si deputet i zakonshëm?

Zoti Xhafa, deri tani dhe besoj edhe më pas, ka qenë njeriu më i besuar në postin e tij si ministër i Brendshëm, dhe ky besim ka qenë i shumëfishtë. Ndoshta asnjë ministër tjetër në kabinetin Rama 2 nuk ka patur një mbështetje të tillë nga institucione që monitorojnë Shqipërinë dhe këtë, kur ka qenë rasti, e kanë shprehur haptas.

Përse ringrihet pas 16 viteve dënimi i parë dhe pas 6 viteve dënim i përfunduar, një çështje që ka kaluar përmes tri qeverive?

Janë disa arsye:

Së pari, opozita, aktualisht, ka mbetur pa një kauzë të saj. Pas dorëheqjes së Tahirit si deputet duhej gjendur një rast tjetër dhe, në mos ishte aktual, duhej nxjerrë nga thellësia. U thirr rasti Xhafa, i cili ishte, po ashtu, ministër i brendshëm dhe që, po ashtu, akuza e tij kishte në përbërje familjarë, kësaj here edhe më të afërt se Habilajt e Tahirit.

Megjithëse Xhafa kishte bërë prononcimin e tij që kur kishte ndodhur ngjarja, kjo nuk ishte e rëndësishme. Duhej thirrur një kauzë, pas rënies së rastit Tahiri si deputet, përmbylljes së protestës së banorëve të Kukësit për tarifën në rrugën e Kombit, etj.

Së dyte, si nuk ishte pritur nga opozita, rasti i 613 kg drogë e fortë në një kontenier bananesh, që i përkasin një njeriu i cili, po ashtu, ka lidhje të afërta me njerëz të fortë të opozitës, që dikur janë akuzuar haptas nga strukturat e larta të specializuara ndërkombëtare për pjesëmarrje në trafikime masive të drogës, kërkon domosdo spostimin e vemendjes nga një ngjarje që mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, për shumë politikanë. Nëse Arbër Kuliçaj, sot i burgosur në shtetin gjerman do të ekstradohet dhe do të fillojë të jetë gojë e hapur, nëpër dhëmbët e tij do të mbetin shumë njerëz. Jo vetëm të politikës.

Së treti, strukturat e drejtësisë po rrëshqasin dalëngadalë nga kllapa ku i kishte vendosur Berisha. Dy njerëzit kryesorë të tij, Llalla dhe Hajdarmataj, njëri i akuzuar tashmë zyrtarisht dhe tjetri që një ditë mund të jetë në të njëjtën pozitë, nuk kanë forcë për të ndryshuar trendin e hetimeve. Hajdarmataj ishte njeriu që i mbylli hetimet për rastin e parë të njohur të Kuliçajt – eksportuesi i baneneve, dhe, kjo siguri, tashmë nuk ekziston. Largimi i Hajdarmatajt nga detyra e rëndësishme dhe siguruese e opozitës për marrëveshje të mëtejshme, në radhë të parë është goditje ndaj mendësisë mafioze dhe në shërbim verbërak ndaj politikës. I marrë në mbrojtje nga opozita, ish prokurori i Tropojës që nuk nxori në dritë asnjë nga vrasjet e bujshme të njerëzve të njohur si kundërshtarë të Berishës, më shumë se gjithçka, i bën dëm vetë këtij të fundit. Është dëshmia se në dorën e kujt ishte vetë ai.

Së katërti, Fatmir Xhafa, në postin e tij të ministrit të Brendshëm, që në fillim, si pak kush, ka bërë lëvizjet e duhura në pastrimin e strukturave të Policisë dhe segmentëve të tjerë. Ai, edhe pse i ka rënë ndesh qeverisë pararendëse, që ishte po ashtu e dalë nga forca politike ku bën pjesë, ka ruajtur mendimin e tij se bandat dhe policia e shtetit, në disa raste, kanë pasur lidhje me njëra tjetrën.

Kështu, më shumë nga sa është pritur, ai i ka hapur probleme vetes; edhe jashtë strukturës politike ku bën pjesë, por edhe brenda saj. Më shumë brenda saj, por, askush të mos habitet nëse nuk e di ende se mes figurave të veçanta të politikës në tri krahët ka ende lidhje të ndjeshme biznesi, marrëdhënieve financiare dhe allishverishe të fuqishme.
Xhafa , duke qenë kundër tyre, krijoi rrethin e parë të kundërshtarëve, të cilët, më pas, krijuan rrethet e tjera.

Së pesti, lëvizja “Xhafa” për shkarkimin e tij, ishte sinjali i fundit, i gjetur nga opozita, për të ndalur hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Dy vendet, ku Basha, ka “ lobuar”, Germania dhe Hollanda, kanë patur dhe kundërshtarët më të hapur, dhe jo rastësisht, ata kanë qenë njerëzit e njohur për lidhje, edhe miqësore, të Bashës me to.
Shteti gjerman po shkon drejt miratimit të hapjes së negociatave. Hollanda heziton. Për të bërë hezitimin fakt duhej një dosje e re; asgjë tjetër nuk tingëllon më e ndjeshme se fakti që ministri i Brendshëm ka një vëlla të dënuar në njërin nga shtetet e Bashkimit Evropian për trafik droge.

Ndaj, edhe me një shpejtësi të habitshme politike, ata iu drejtuan të gjithë shefave të shteteve evropiane, duke i dërguar denoncimin e tyre, që duket si një denoncim juridik, por në fakt është politik.
A ka përgjegjësi Fatmir Xhafa se çfarë ka bërë vëllai i tij 16 vite më parë?
Asnjë përgjegjësi politike apo juridike.

Në fakt, ai mban përgjegjësi morale, por në postin e tij ai nuk është për moral, por për të vendosur standardet e duhura ligjore në institucionin që drejton.
Rasti Tahiri, edhe nëse del i vertetuar, nuk ka asnjë lidhje me rastin Xhafa. Janë krejt të ndryshëm. Pa asnjë lidhje ligjore, vetjake dhe institucionale mes tyre.

Shtetet demokratike asnjëherë nuk hedhin fajin e njërit mbi tjetrin, në këtë rast të njërit vëlla mbi tjetrin e, shkojnë edhe më tej: të prindërve mbi fëmijët. 16 vite Manfred Rommel ishte kryebashkiaku i Shtutgartit, i biri i kriminelit të luftës së Dytë Botërore, gjykuar pas vdekjes në Nurnberg, gjeneralit nazist, Ervin Rommel. Dhe kishte përkrahjen më të fuqishme të CDU-së dhe të banorëve të saj.

A do të hidhet faji i Agron Xhafës mbi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafa?

Institucione të rëndësishme euroatlantike janë duke e shqyrtuar rastin e tij, jo nga ana profesionale dhe institucionale, as natyrën e tij politike.

E rëndësishme është të përcaktohet nëse kjo gjendje e tashme, e një ashpërsie të pazakontë politike të opozitës, sa mund të ndikojë në vetë punën e tij dhe nëse ai do të mundet të përballojë këtë trysni që po ushtrohet edhe vetë brenda radhëve të tij.

Fati politik i Fatmir Xhafës nuk mund të vendoset nga opozita e, në këtë rast, as nga njerëzit e familjes së tij.

Është një situatë kur institucioni që ai drejton, dhe deri tani e drejton maksimalisht mirë, duhet të vazhdojë të riformësohet, të ketë edhe më tej të drejtën e vazhdimit të kalimit në një gjendje tjetër, më solide dhe më domethënëse.

Goditjet që i janë dhënë grupeve të ndryshme, e , po ashtu, kufizimi i ndjeshëm jashtëzakonisht në kultivimin e bimëve narkotike janë fillesë e mirë.

Në fund të fundit, cilido që do të ushtrojë një ditë të nesërme funksionin e ministrit të Brendshëm, gjithkush është i bindur se do të jetë objekt i goditjes opozitare.
Deri tani, e majta në pushtet, nuk ka pasur asnjë ministër të Brendshëm, mbi të cilin rëndojnë akuzat e vrasjes, vjedhjes në përmasa të mëdha dhe dhurimit politik të njësive të mëdha të vendit.

Cili do të jetë fati politik i Fatmir Xhafajt? Read More »

Krimet e Rënda godasin grupin kriminal, disa arrestime, pritet kapja e “peshqve të mëdhenj”

Krimet e Rënda kanë organizuar një operacion për goditjen e një grupi trafikantësh droge.

Mësohet se operacioni është kryer në të gjithë vendin ku dhe janë arrestuar disa persona. Detaje të tjera priten, pasi operacioni vijon ende.

Hetimet ndaj grupit të trafikantëve kanë nisur prej disa muajsh nga Krimet e Rënda. Më herët jashtë vendit është bllokuar një sasi e konsiderueshme hashashi.

Ende nuk dihet nëse ky aksion do të çojë edhe në arrestime të “peshqve të mëdhenj”.

Por një gjë është e sigurtë. Kjo do të jetë fundjava e fundit në liri e të përfolurve dhe piketuarve  prej kohësh.

Krimet e Rënda godasin grupin kriminal, disa arrestime, pritet kapja e “peshqve të mëdhenj” Read More »

Zëri i Amerikës: Ambasadori Lu iu përgjigj shkurt Edi Ramës

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha se janë duke shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Komentet e tij erdhën si reagim ndaj deklaratave të djeshme në parlament të kryeministrit Edi Rama sipas të cilit nëse do të kishte patur implikim të ministrit Xhafaj, ambasadori amerikan do të kishte qenë i pari që do të kishte folur. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tone”, u përgjigj në reagimin e shkurtër ambasadori amerikan.

Opozita e ka akuzuar ministrin e Brendshëm se i ka dhënë mbrojtje vëllait të tij, të arrestuar në vitin 2002 në Itali dhe i dënuar në 2012 me 7 vjet e dy muaj burg, për pjesmarrje në organizata kriminale që merreshin me trafik lëndësh narkotike. Ajo ka bërë përgjegjës zotin Xhafaj se, në pozitën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, ka ndërhyrë vitin e shkuar, duke bërë një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale që sipas saj mbron direkt të vëllanë e tij.

Anëtarja e Komisionit, socialistja Vasilika Hysi hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke deklaruar se neni të cilit ajo i referohet është reflektim i Konventës europiane. “Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës së ekstradimit, protokolli shtesë. Në komision është votuar varianti që është në fuqi”, shkruajti zonja Hysi në një postim të gjatë në Facebook.

Por demokratë reaguan sërish duke e quajtur të pavërtetë një deklarim të tillë. “Konventa Europiane e Ekstradimit thotë shprehimisht se ekstradimi mund të refuzohet, vetëm në ato raste kur Shqipëria mendon se procedurat e gjykimit në një cështje konkrete nuk përmbushin të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për një person të akuzuar për një vepër penale. Në këtë rast, kërkohet garancia për rigjykim. Nëse personit të dënuar në mungesë, i janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, por ai vetë ka zgjedhur që t’i fshihet drejtësisë, atëherë jo vetëm nuk kërkohet garanci për rigjykim, por sipas Konventës është e detyrueshme që të lejohet ekstradimi”, shpjegoi Gazmend Bardhi, ekspert ligjor i PD-ës. Nga ana e tij deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se “Prokuroria ka detyrimin ligjor të marrë në përgjegjësi penale Fatmir Xhafajn për falsifikim dokumentash dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë publikë”.

Edhe Lëvizja socialiste për integrim, është e idesë se, “ndonëse e vonuar, Prokuroria shqiptare duhet të fillojë çështjen për të zbardhur si qëndron e vërteta”, deklaroi sot në një dalje publike kreu u grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili sipas të cilit rruga tjetër do të ishte dhe një hetim parlamentar. “E gjithë kjo praktikë duhet zbardhur, duhet parë në ç’mënyrë ka funksionuar gjithë kjo çështje dhe në fund të ditës të gjithë do jenë më të qartë se çfarë ndodhi, pse ndodhi, në rast se ka përgjegjës, të përgjigjen deri në fund për atë që kanë bërë me qëllime të caktuara”, u shpreh zoti Vasili, duke propozuar njëkohësisht neni i debatuar i Kodit të Procedurës Civile të abrogohej menjëherë “dhe të ulemi në tavolinë dhe të ribëjmë përcaktime të reja, të cilat mbyllin alibitë për shpëtimin e kriminelëve dhe trafikantëve dhe e kthejnë kodin në një instrument lufte të papajtueshme me krimin e organizuar dhe trafiqet”, theksoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Zëri i Amerikës: Ambasadori Lu iu përgjigj shkurt Edi Ramës Read More »

Kuksiani i shndërruar në VIP, që po çmend nga burgu policinë britanike, dhe mijëra fansa

Një grabitës i famshëm shqiptar i njohur si “2gunz” që përdori Facebook për të të ndihmuar bashkëatdhetarët e tij të vidhnin në Britaninë e Madhe, ka ngritur në këmbë autoritetet pasi ka shfaqur veten të filmuar duke pirë drogë në burg dhe duke sharë, shkruan Daily Mail, përcjell Syri.net.

Ai e krijoi famën e tij në internet pasi hapi një faqe në Facebook për të ndihmuar patriotët e vet të vidhnin në Britaninë e madhe.

Por, pasi u dërgua në burg me akuzën për droga të forta, Fari Lleshi me origjinë nga Kukësi, ka tërhequr tek vetja mediat sociale falë videove që ka publikuar direkt nga qelia ku ai po vuan dënimin. Në të vërtetë, tymosja e marihuanës, sharjet dhe deri edhe kërcënimi i viktimave të tij janë publikuar rregullisht në Facebook dhe Instagram.

Mijëra ndjekës të tij e kanë parë duke iu gëzuar një jete plot gjallëri në skandalin që ka goditur burgun Dorset.

Lleshi, që hyri në Britani nga pjesa e prapme e një kamioni, e filmoi veten duke lëvduar kohërat kur ai “e vinte në majë të gishtit”, Policinë.

Në postime të tjera ai ai i bën serenata të dashurës së tij me një këngë rep, puth kameran, pi pije energjike, vallëzon me shokët e dhomës, pi duhan ndërkohë që një TV gjigant shfaqet në sfondin e qelisë së tij.

Fansat e tij  i dërgojnë mesazhe adhuruese për ato që ai u shfaq, shpreh duke lëshuar thirrje që ai të lirohet e të cilave, më së shumti u kthen përgjgije.

Më shqetësuese është se Lleshi përdor pseudonimin “2gunz” dhe që i kërcënon viktimat e tij jashtë qelisë, teksa bën xheste me duar sikur ka pistoletë dhe shënon “bam bam”.

Shumica e videove të tij janë në Instagram, por ai i vendos ato dhe në You Tube dhe në një faqe në Facebook, me sa duket nga një telefon celular.

Videot në You Tube mbartin reklama të Hugo Boss dhe Pepsi, që e ndihmojnë gjigantin e internetit të nxjerrë fitime edhe pse Lleshi po shkel ligjin.

Lleshi, u burgos në Itali në 2001 pas grabitjes së 20 mijë paundëve në një bankë; pasi u lirua, ai shkoi në Angli ilegalisht nisi punë si suvatues/Syri.Net.

 

Kuksiani i shndërruar në VIP, që po çmend nga burgu policinë britanike, dhe mijëra fansa Read More »

Bashkia Vlorë mbledh nga Orikumi 1 miliard lekë por u kthen banorëve vetëm 8 milione leke ! Zbardhen premtimet e pambajtura nga D.Leli !

Nga Lirim Nezha :

Dy javë më parë,qytetarë të Orikumit dhe fshatrave përrreth,të mbështetur nga strukturat e Partisë Demokratike dhe Forumi Rinor i saj,shkuam në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të protestuar rreth problemeve të panumërta me të cilat përballet Orikumi dhe rrethinat,pra e gjithë Njësia Administrative që përfshin ish Bashkinë Orikum.

Në mënyrë edhe pak të zhurmshme tentuam të ngremë shqetesimet tona dhe duhet thënë se Këshilli Bashkiak u detyrua t’i merrte në konsideratë dhe t’i fuste në rendin e ditës.Në atë mbledhje u vu re mungesa e qëllimshme e Kryetarit të Bashkisë Dritan Leli ,i cili,edhe pse ndodhej në Vlorë,i informuar për reagimin qytetar,zgjodhi ta shmangte përballjen e drejtëpërdrejtë.

Gjithsesi “na u dha e drejta” që një përfaqësi e jona do të pritej në zyrë nga kryetari Leli.Po bëhen dy javë dhe takimi me ne dhe përballja me shqetësimet tona nuk është në axhendën e kryetarit.Sepse qytetarët janë të fundit në axhendën e tij snobe.Kjo bie erë paburrëri,burracakeri.

Gjithsesi unë u përpoqa që,përmes televizionit “6+1 Vlora” t’ja bëj present edhe qytetarëve,por edhe kryetarit problemet që e shqetësojnë komunitetin e Orikumit dhe fshatrave rreth tij,Dukatin,Tragjasin,Radhimën dhe gjithë bizneset që operojnë në turizëm që nga hotelet e restorantet buzë detit e deri lart në Llogara.

Duhet thënë se turizmi elitar nis nga dalja e tunelit te Ujit te Ftohtë deri në Qafën e Llogarasë dhe pjesa më e madhe e këtij territori i përket njësisë administrative Orikum,ku është për të ardhur keq që packa se taksat që paguajnë zënë shuma të konsiderueshme,(mjafton të kujtojmë që buxheti i ish bashkisë ka qënë rreth 1 miliardë lekë),shuma që i kthehet në investime është zero lekë.

Është vetëm një shumë simbolike e investuar për klubun Oriku dhe kaq.Sigurisht që ata djem duhen mbështetur,madje edhe më shumë se kaq sepse janë krenaria e qytetit,por ka nevojë për shumë më shumë se kaq.Ka nevojë që taksat e qytetarëve të kthehen mbrapsht në formën e investimeve.E kjo përgjatë tre viteve të qeverisjes socialiste të bashkisë Vlorë,nuk ka ndodhur.

Qytetarët e Orikumit dhe të rrethinave nuk janë në axhendën e kryebashkiakut .Dritan Leli mjaftohet me kamerat që e ndjekin përgjatë lungomares,i gëzohet si fëmijë shpikjes perverse të stolave inteligjentë,por na duhet t’i kujtojmë se Vlora nuk fillon dhe mbaron në lungomare,është shumë më e madhe se aq.
Ujërat e ndotura derdhen në det edhe pse prej tre vitesh ka përfunduar një investim gjigand për këtë qëllim që është rrjeti kryesor dhe impianti modern i grumbullimit dhe përpunimit të ujërave të zeza,një investim I Bankës Islamike prej 11.5 milionë euro.Një investim që po amortizohet ende pa u vënë në punë sepse rrjeti I brendshëm ende nuk ka filluar dhe me sa duket është me pak shance për të filluar.Thuhet se Fondi shqiptar i Zhvillimit ka marrë përsipër financimin e pjesshëm të projektit,por për këtë duhet që Bashkia të planifikojë në buxhet së paku 10%-shin e fondit të investimit ,atë që quhet buxheti i pjesëmarrjes qytetare,që puna të nisë.Pra edhe këtë investim të domosdoshëm është bashkia që e pengon,që nuk i hap rrugë.

Si pjesë e të njëjtit investim u ndërtua edhe rrjeti kryesor i ujësjellësit,depozitat si dhe stacioni i pompave për Orikumin,Dukatin e ri dhe Radhimën.Por asgjë deri tash për atë që ngelet thembra e Akilit,rrjetin e brendshëm .Është ai që do të mundësojë ujë pa ndërprerje.Është vendosja e matësave si një detyrim i Ndërmarrjes së Ujësjellësit ndaj qytetarëve,prerja e lidhjeve të paligjshme dhe ndërhyrja me investime në rrjet që do të mundësojnë heqjen e pompave dhe bolierëve që janë shëmti për qytetin dhe pasiguri për qytetarin.Me dy orë ujë në ditë nuk mund të ketë turizëm.Janë qindra familje që e kanë burimin kryesor të jetesës dhënien me qera të banesave përgjatë sezonit,por nuk marrin asnjë shërbim që të justifikojë taksat dhe tarifat që paguajnë.
Hotelet ,baret dhe restorantet e bregdetit të radhimës nuk kanë ujë edhe pse tubat e ujit u kalojnë shumë pranë dhe kjo vjen gjithashtu nga neglizhenca totale e personave përgjegjës, nga mungesa e investimit për rrjetin e brendshëm.

Ndërkohë edhe plantacionet me agrume të cilat janë edhe një dekor i mrekullueshëm për turistët rrezikojnë të thahen sepse kanali i ujit që vjen nga burimet e Izvorit prej vitesh është marrë në mbikqyrje nga bashkia,por në të nuk është kryer asnjë investim për pastrimin dhe funksionimin e tij.

Plazhet që jepen me qera nga bashkia kanë gjithnjë e më shume cmim më të lartë e shtrirje kohore përtej përdorimit të tyre,por megjithatë asgjë nga këto lekë nuk u kthehet atyre si shërbim.Nuk ndjejnë dorën e ngrohtë të bashkisë,por vetëm kërbacin e taksidarëve.

Është premtuar në fushatë elektorale landfilli i mbetjeve urbane,por mbetjet deri tash hidhen në breg të lumit dhe cdo mbrëmje në verë aroma është e padurueshme ndërkohë që një pjesë e tyre gjatë dimrit,me nisjen e stinës së shirave, shkojnë përmes ujit në det.

Energjia elektike është një tjetër mungesë permanente.Orikumi është bërë proverbial për mungesat e gjata dhe të herëpashershme të energjisë.Askush nuk mban përgjegjësi për ndërprerjet me orë,por edhe me ditë të tëra të energjisë elektrike,ndërkohë që një muaj të mos paguhet fatura të ndërpresin energjinë.Pa harruar të përmendim mbifaturimet aq herë sa shteti ndihet në nevojë për lekë.Ne nuk mund të jetojmë me propogandë qeveritare për investime të mëdha.Sa kohë këto investime nuk shoqërohen me investime serioze në rrjetin e brendshëm tregon se pushteti eshte I interesuar me shume per fasadat dhe punet propagandistike se sa per zgjidhjen konkrete te problemeve të qytetarëve.

Ndarja administrative e ka lënë Orikumin krejt pas dore.Të gjitha investimet e bëra gjatë qeverisjes së PD-së në këtë qytet,nën drejtimin e kryetarit më të suksesshëm të këtyre 25 viteve,z.Kanan Braho, janë drejt degradimit sepse nuk mirëmbahen.Mjaft të shohim të gjitha rrugët kryesore të cilat kanë patur një ndricim perfekt,kryesor dhe ndricim trotuaresh.Duke filuar me bulevardin kryesor e deri tek shëtitorja që lidh qëndrën e qytetit me bregun e detit.Sot përballesh me poca të thyer e të shtrembëruar gjithandej dhe me llampa që nuk ndizen.Shëtitorja që të con buzë detit është thuajse pa ndricim dhe nuk është vënë dorë për të rreguluar dicka.

Orikumi është ndoshta i vetmi qytet pa një lulishte apo një kënd lojërash për fëmijë.Edhe investimi që u krye përpara qëndrës administrative disa vite më parë po shkon dëm sepse asgjë nuk funksionon,as disa lodra fëmijësh që u vendosën,as një shatërvan që u ndez vetëm në inagurimin e tij,as ndricimi i sheshit.

Premtimet elektorale të fushatës janë të shumta,po aq të shumta sa janë mos realizimet e tyre.

Është premtuar ristrukturimi i shkollës 9 vjecare “Balil Pelari”,por ende nuk janë gjetur koha dhe fondet për këtë qëllim.Duhet falenderuar kompania turke që operon në Pashaliman e cila me kontributet e veta ka ndërhyrë për të rikonstruktuar deri diku kopshtin dhe shkollën e mesme “Hasan Pulo”.

Gjithashtu në qëndrën shëndetesore Orikum dhe në ato të fshatrave nuk është bërë asnjë ndërhyrje për të rregulluar situatën alarmante në të cilën ndodhen.
Është premtuar rruga e Tragjasit,nga qëndra deri tek rezervat e shtetit,rrugë që të con edhe në fshatin e vjetër te Tragjasit që është një destinacion i rëndësishëm turistik për shkak të historiës dhe arkitekturës.Kjo rrugë e ka projektin të gatshëm prej vitesh,por…

Kalaja e Gjon Bocarit,sërish në fshatin Tragjas është e pa aksesueshme për shkak të mungesës së një rruge që do të bënte të mundur të ishte e vizitueshme për turistët që në këtë zonë nuk kanë interes vetëm për detin.Me që jemi tek destinacionet turistike të zonës duhet të përmendim qytetin antic të Orikut.Për të shkuar atje,përvec një rruge skandaloze bregut të detit duhet të përballesh edhe me pengesat administrative sepse është ende brenda një zone ushtarake.Një problem ky realisht I mbartur prej vitesh ,i premtuar edhe nga kryeministri Rama,e që nuk po gjen zgjidhje.

Karaburuni dhe plazhet e tij janë mollë e ndaluar për qytetarët pikërisht prej postbllokut.Ato mund te arrihen vetem me rruge detare qe ka nje kosto te larte dhe te pa perballueshme per kedo.
Është premtuar rruga e bregdetit të Orikumit si dhe rruga që të con tek një tjetër destinacion turisti,kisha 1300 vjecare e Marmiroit.Një premtim i ngelur në letër.

Kullat e Dervish Aliut janë një tjetër destinacion për turistët,por ato janë duke u shëmbur sepse nuk ka asnjë investim për to.Ketu ndoshta do të duhej një bashkëpunim më i mirë mes bashkisë dhe institutit të monumenteve.Është premtuar në vazhdimësi rikonstruksioni i Shkollës së Kuqe në Dukat Fshat,por ai monument i rëndësishëm i historisë kulturore të Dukatit është duke u shëmbur.

Dukati i Vjetër është përballur verën e shkuar me mungesën e ujit,një problem që do të ndihet edhe këtë vit sepse ende nuk është bërë asgjë për ta zgjidhur apo për ta lehtësuar si problem.Gjithashtu eshte premtuar ristrukturimi i sheshit kryesor te fshatit,por edhe ky premtim eshte harruar ose eshte lene per te qene nje premtim i gatshem per fushaten e ardhshme.

Pas gjithë këtyre premtimeve të pambajtura që përmenda e që nuk janë të gjitha,a mundet dikush të më thotë për cfarë i ka vlejtur Dritan Lelit ky mandat i marrë nga qytetarët,përpos vidiove dhe selfieve në Lungomare?!

Lirmm Nezha

Orikum Maj 2018

Bashkia Vlorë mbledh nga Orikumi 1 miliard lekë por u kthen banorëve vetëm 8 milione leke ! Zbardhen premtimet e pambajtura nga D.Leli ! Read More »