Loading...

Rrëfehet spikerja e parë e televizionit shqiptar: Kur dëgjova fjalën “fillo”, mu drodhën gjunjët

Sot nuk mund të numërohen televizionet private kombëtare dhe lokale, që së bashku me RTSH-në përbëjnë një numër aq të madh, sa askush nuk di kë të zgjedhë. Por për të ardhur deri këtu, kanë kaluar plot 57 vjet.

Pra, afro 6 dekada. Ishte pikërisht 29 prilli i vitit 1960, kur Stoli Beli nga studio e parë televizive shqiptare, në këtë datë do të artikulonte fjalët: “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar”. Duke ma bërë prezent këtë togfjalësh, ajo filloi të lotojë… Pasi ajo, “nëna” e Televizionit Shqiptar, sot është lënë në heshtje të plotë.

Kur e kujton atë datë, ajo loton dhe nuk di si të shprehet. Fjalët i ngecen nga emocionet dhe ajo i kapërdin lotët, për të gjetur lidhjen e historisë së madhe të televizionit shqiptar. Pas 57 vjetësh, në këtë rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”, ajo kujton me nostalgji të kaluarën…

Ju jeni spikerja e parë e televizionit të parë shqiptar. Sot, pas 57-vjetësh, sa orë rrini para ekranit dhe çfarë emisionesh ndiqni?

E vërtetë. U mbushën plot 57 vjet dhe sot shikon me dhjetëra televizione e radio. Aq shumë janë, sa u harron dhe emrat. Aktualisht, unë rri shumë pak para televizioneve, shumë pak. Kjo, pasi shumica prej tyre, të gjitha emisionet i kanë për politikanët. Kudo të ftuar politikanë, debate mes politikanëve, zgjedhjeve në parti, debate pa fund mes tyre dhe ka pak, shumë pak emisione edukative, emisione shoqërore për të cilat ka nevojë shoqëria jonë. Kurrë nuk e kam pasur qejf politikën, madje as në atë sistem. Me politikën dua të rri larg. Unë kam qenë spikere dhe mundohesha të gjeja të reja në profesionin tim. Më shumë merrem me lexime. Lexoj libra të ndryshëm, por edhe letërsi artistike. Aty mësoj, por dhe gjej gjëra të vyera, që nuk do t’i gjeja kurrë në ekranet shqiptare. Në të gjithë këta vite, leximi është hobi im, është vetë jeta ime. Me librin merr kulturë të gjerë dhe nuk e kalon kohën kot. Mendoj se televizionet duhet të punojnë më shumë për të kaluar situatën dhe të gjejnë programet e duhura për të edukuar popullin dhe sidomos brezin e ri.

Meqenëse folët për brezin e ri, cili është mendimi juaj për atë çka duhet të ofrojnë televizionet për ta?

Sot rinia po kalon një situatë të vështirë. Ka shumë papunësi, por ka dhe shumë liri. Pra, dy situata që duhen ekuilibruar. Kjo vjen edhe nga televizionet, të cilët nuk kanë gjetur dot emisionet e duhura, që rinia të gjejë veten dhe të rrijë para ekranit. Edhe në ato orë që rri para tij, rinia shikon filma rozë, filma horror, si dhe spektakle ku mbizotëron fjala fyese, fjalori zhargon dhe pa etikë. Sot rininë e shikon mes drogës, alkoolit, fenomeneve negative, cigareve, qejfeve, jetës së natës. Kryesorja, nuk ka interes për shkollim, pra një rini që s’është e lidhur me librin. U është lënë shumë liri nga prindërit dhe shumë të përkëdhelur, pa kërkesë llogarie, nuk mendojnë shumë për të ardhmen. I sheh kudo me makina të shtrenjta, tablete, celularë, motorë, nuk edukohen me punën. Ata janë e ardhmja e atdheut, ndaj duhet të orientohen drejt punës, shkollës, mësimit, librit. Televizionet nuk kanë emisione edukative për rininë, po punojnë shumë pak në këtë drejtim.

Ju filluat drejtpërdrejt si spikere në televizion, apo ishit pjesë e radios, para se të dilnit si spikerja e parë shqiptare e televizionit?

Jo, unë nuk kam filluar drejtpërdrejt në televizion. Para se të isha spikerja e parë e TVSH-së, unë kam punuar në radio dhe konkretisht, në redaksinë e fëmijëve dhe të rinisë. Kjo redaksi më ka pëlqyer shumë, pasi aty hodha hapat e para si gazetare dhe si spikere. Pra, kisha njëfarë përvoje.
Ju keni studiuar për gazetari? Si ishin pedagogët tuaj në mësimdhënie dhe si filluat në Radio-Tirana?

Unë kam mbaruar shkollën e gazetarisë në vitin 1957. Ishte një shkollë model me profesorë të shkëlqyer, që na mësonin me shumë zell dhe përgjegjshmëri. Nuk kurseheshin për konsultime dhe çdo gjë që dinin, na e jepnin me shumë dëshirë. Kishim njerëz idealistë në mësimdhënie, që kurrë nuk thoshin “jo”. Pasi mbarova studimet, më caktuan me punë në Radio-Tirana. Kur unë kisha mbushur rreth dy vjet në radio, filluan përgatitjet dhe përpjekjet për të hapur televizionin e parë shqiptar, pasi radio ishte hapur që në vitin 1938 nga Ahmet Zogu. Në atë kohë, drejtor i RTSH-së ishte Petro Kita, një burrë korrekt dhe i zgjuar, praktik dhe shumë konseguent. Ai të vlerësonte realisht për punën, por edhe të kritikonte me pambuk. Mbaj mend që edhe pse nuk kisha bërë dy vjet punë në radio, për korrektësinë time, për idetë e mia më dekoruan. Ishte një befasi të dekoroheshe që në atë moshë, pasi atëherë çdo dekoratë kalonte në disa stade dhe duhej ta justifikoje plotësisht dekoratën dhe jo si sot që e merr kushdo që ka një mik në Presidencë. Kishte shumë respekt për punën time në emisionet në radio. Për këtë punë, që në fillimet e para më dekoruan. Isha e re, me vullnet, simpatike, kërkuese me zë që pëlqehej.
Kur ju thirrën dhe si jua ofruan detyrën e prezantueses së parë të Televizionit Shqiptar? Si do ta përshkruani atë ditë?

Unë vazhdoja punën në radio në emisionin e mësipërm, kur një ditë drejtori Petro Kita më fton në zyrë dhe më thotë: “Stoli, duhet të përgatitesh, të vishesh mirë, të bësh pak tualet, të përgatitesh psikologjikisht, se do të bësh prezantimin e programit të parë të Televizionit Shqiptar”. U shtanga! Nuk po u besoja veshëve, aq më tepër, që kisha dëgjuar për televizionin, por kurrë nuk kisha parë një aparat të tillë. Ishin shumë të pakët njerëzit në Tiranë që kishin televizion. Më dukej një ëndërr e largët, një ëndërr që kurrë s’do ta realizoja. Drejtori e vuri re hutimin tim dhe më thotë: “Mos ki merak, do t’ia dalësh mbanë. Ja, si radio është, por do ketë figurën që do dhe veshje të mirë dhe më shumë përqendrim”. Më dukej se bënte shaka, por ai kishte folur shumë qartë. Mbaj mend se ishte mesi i prillit. Pra, kisha dhe disa ditë të mobilizohesha. Për mua, ato ditë ishin ditët e një reflektimi për një detyrë të re, shumë të rëndësishme dhe shumë të vlerësuar. Mundohesha të gjeja literaturë për spikerët për emisionet televizive, por më kot. Atëherë, nuk kishte të tilla libra.

Dhe ja, erdhi 29 prilli, që për mua mbetet dita më e veçantë e jetës. 29 prilli i vitit 1960 do të sillte diçka të re, jo vetëm për mua si spikere të parë e TVSH-së, por që solli diçka të re edhe në jetën familjare të shqiptarëve. Sipas këshillave të drejtorit, rregullova tek një parukiere, flokët, fytyrën dhe vetë rregullova veshjen. Veshja ishte problem, pasi atë kohë nuk të linin të imitoje modën e huaj. Por nuk e harroj që për veshjen më kishin dhënë një ide dhe një sugjerim inxhinierët gjermanë, pra të gjeja një veshje të përshtatshme për televizionin, që ishte ngjyra e verdhë. Ndoshta nuk do ta besoni, bluzën ia mora një shoqeje.

Ashtu ishte ajo kohë, nuk kishte për të veshur sa dhe si të doje. Erdhi momenti. Trupi më dridhej nga emocionet. U afrova në studio, ashtu e rregulluar. Pas më ndiqnin të gjithë punonjësit e Radio- Tiranës. Edhe ata kishin po ato emocione që kisha unë. Ishte përgjegjësi. Ata po më jepnin kuraje sikur të shkoja në një betejë lufte, pasi e dinin rëndësinë, përgjegjësinë, emocionet dhe çfarë më priste në rast dështimi. Kisha bërë disa prova por kjo ishte tjetër gjë. Ishte diçka që po realizohej për herë të parë. Po prezantohej për herë të parë institucioni më i rëndësishëm i medias vizive shqiptare, televizioni i parë shqiptar. Pra kjo ditë ishte një ditë historike.

Kisha shumë, shumë emocion, sidomos kur dëgjova fjalën ‘Fillo’, për një moment m’u drodhën gjunjët. Miqtë e mi që më shoqëronin rrinin si të ngrirë. Në studio isha e vetme me një karrige shumë modeste dhe përballë kisha kamerën me atë syrin e kuq magjik, dukej sikur “do më “hante”. Unë përballë kamerës, të tjerët pas meje, pas kuintave. Kamera më dukej si një sy magjik që të provokonte. Qetësi, kur në këtë moment fillova të artikuloj fjalët: “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar”. Fola qartë dhe pa asnjë gabim. U lehtësova! Kur unë mbarova prezantimin e parë në ekran, filloi të shfaqej një film për fëmijë. Sa dola jashtë studios, të gjithë që më shoqëronin dhe ishin jashtë studios, më përqafuan me lot gëzimi. Dhe unë lotova bashkë me ta.

Ata të gjithë më thoshin: “Urime, urime…”. Ishte dita më e bukur, më magjike e jetës sime… Ishin hedhur hapat e një magjie të re të elektronikës, të televizionit, aq pak të njohur në Shqipëri. Për popullin tonë, u hap dhe një tjetër dritare e madhe e edukimit. Por, edhe pasi fillova punë në televizion, sërish nuk e lashë punën në radio. Punoja në emisionin e mëparshëm si redaktore, por edhe shkruaja tregime dhe përralla. Nuk kisha shkruar më parë, por duke punuar në këto emisione fantazia ime mori krahë dhe fillova të shkruaj vazhdimisht, përralla dhe tregime që pëlqeheshin nga fëmijët dhe të rriturit. Kjo më stimulonte më shumë.
Kush erdhi drejtor i RTSH-së, pas largimit të Petro Kitës?

Petro Kita hodhi themelet e televizionit dhe mbetet për të gjithë një ikonë e ideve të tij. Mbas tij, drejtor i RTSH-së erdhi Thanas Nano, babai i ish-kryeministrit Fatos Nano. Thanasi ishte shumë strikt, i rreptë, por i aftë dhe shumë korrekt. Ishte edhe i ditur, lexonte shumë. Televizioni kishte një pastërti shembullore. Kur nuk e prisja, Thanasi më thërret një ditë në zyrë dhe më thotë se tashmë “kemi shumë nevojë për televizionin, prandaj do të vendosesh vetëm në televizion”. Nuk dija ç’të thosha. Me radion u rrita dhe kisha shumë kujtime të bukura. Menjëherë, më caktuan si redaktore dhe si spikere në televizion. Atëherë jepeshin vetëm filma, dokumentarë.
Përveç prezantimit, çfarë drejtoje tjetër në televizion? A kishte apo u hapën emisione të veçanta? Si veprohej me kamerën, kur teknologjia ishte e dobët dhe kamerat të pakta?

Duke parë se televizori kishte shumë pak programe, duke parë se kishim shumë pak eksperiencë, unë fillova të eksperimentoj vetë. Konkretisht, fillova emisionet e para, duke thirrur në studio, drejtorë ndërmarrjesh, përgjegjës, inxhinierë, teknikë, profesorë, kryetarë kooperativash, të cilët sillnin me vete dhe prodhimet që bënin ndërmarrjet që drejtonin. Pra, televizioni mori një dimension të ri, një dimension kohor dhe me tematikë. Në studio filloi të vinte jeta e gjallë njerëzore, vinin ata që prodhonin, që bënin vepra dhe jepnin shumë për ndërtimin e vendit. Këto emisione u bënë shumë të kërkuara dhe shumë të ndjekura.

Atëherë kishim vetëm një kamerë dhe një kameraman. Ai ishte njeriu i mirë dhe i pasionuar, Beqir Derhemi. Ai vendoste në një kënd prodhimet që sillnin drejtorët dhe njëherë kamerën e çonte tek unë, njëherë tek prodhimet. Ishte shumë e vështirë, por ai i realizoi me sukses këto momente të para. Për mua, emisioni “Trupi dhe shëndeti” mbetet ndër më të mirët. E fillova me dëshirë dhe ishte ideja ime. Si fillim, mora 2-3 mjekë nga spitalet e Tiranës. Kishim shumë kërkesa më vonë. Emisioni ndiqej shumë. Më vonë, këtë emision e mori dhe e vazhdoi mjeku Flamur Topi. Bile ai në një bisedë televizive ku ka qenë i ftuar ka thënë se “Ky emision është drejtuar me profesionalizëm nga Stoli Beli. Ajo meriton shumë për këtë emision”. Më vonë, fillova emisione të tjerë, për artin, muzikën, arsimin, etj.

Ishin kushte shumë të vështira, por ishte vullneti, dëshira për punë. Punonim natë ditë, në shi, pa makina, për të realizuar detyrat. Shkonim në shkolla, çerdhe, spitale, institucione, me këmbë kudo. Mendo si ishin rrugët në atë kohë, mendo si ishte ushqimi, mendo si ishin makinat. As krahasohen me sot. Po merr vetëm komunikimin me telefona në rrethe, tejet i vështirë. Edhe ushqimi vinte i pakët. Por ne kishim idealizëm brenda, kishim dëshirë për punë, kishim ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe sakrificën e pashoqe. Por mbi të gjitha, në fillimet tona nuk kishim as studio regjistrimi, e kupton? Sot studioja e regjistrimit është pjesa më kryesore e televizionit. Kohë të vështira, punë mes sakrificave të mëdha. Kështu e rritëm Televizionin Shqiptar.

Teknika e vjetëruar shumë e rëndë dhe pak e manovrueshme. Por ajo që ishte kryesore, që na mbushte me shumë përgjegjësi, ishte se bënim emisione të drejtpërdrejta, që ishin shumë të vështira për kohën. Ndaj duhej përqendrim, përgjegjësi, kujdes. Televizion do të thotë, tension, tension, tension. Nerva të tendosura. Gjithmonë kam qenë e tendosur dhe e stresuar. Ishim të pamësuar, por dhe pse ishim drejtpërdrejt, nuk bëmë kurrë një gabim. Kurrë. Që atëherë gabimi kushtonte rëndë, shumë rëndë. Ishim korrektë në kulm. Por kishim edhe një miqësi të sinqertë, një miqësi që sot nuk e gjen.

Miqësia është çelësi i suksesit. Kur punon me ndërgjegjie dhe pa hile me shoqen, suksesin e ke pranë. Aq më tepër, kur kishim kërkesë të lartë llogarie, miqësia të qetësonte. Kishte kërkesë të jashtëzakonshme, sa s’mund të luaje. Më vonë, në televizion u krijua edhe dhoma e kontrollit. Aty shiheshin të gjitha. Përshembull, në emisionin e fundit timin duhej teksti, gjeografia e muzikës, këngët, ku duhej të studioje shumë. Mirëpo, e keqja ishte se nga gabimet e kohës më shqetësonte ajo, se në dhomën e kontrollit më thoshin duhet të heqësh atë që ka vath, që ka rruaza të mëdha, që ka manikyr shumë, që ka tualet shumë. Pra, në këto ekzagjerohej kërkesa, ndaj kur futesha në montazh e kisha tmerr, aq më tepër kur vija nga një lodhje e madhe që kalonte në kalavar mundimesh. Këto janë të vërteta, por kurrë nuk thamë u lodhëm apo të merreshim me thashetheme.

Folët shumë gjatë për miqësinë e sinqertë, cilët ishim miqtë tuaj në televizion?

I kisha miq të gjithë, por do të veçoja miqësinë me Ylli Pepon. Ai ishte një njeri korrekt dhe regjisor i talentuar. Miqësinë me të e ruaj edhe sot. Bile dua të theksoj se ai ka qenë i pari që ka shkruar për mua. Ka thënë që “Stoli Beli është dekania e parë e Televizionit Shqiptar”. Por miqësi të mirë kam pas edhe me Petro Latin, Flamur Topin, Mevlan Shanajn, Zerina Kuken, Heroina Deliun, Tefta Radin, Luiza Papavangjelin, Sivana Braçen, etj.

Kur u larguat nga televizioni dhe si u larguat?

Unë punova në televizion deri në vitin 1991, vit kur erdhi demokracia. Mendova se mund të rrija ende dhe të jepja eksperiencën time, por jo, nuk ndodhi kështu. Pra, nga viti 1960 deri në vitin 1991, plot 31 vjet në televizion, pa diskutuar vitet e para në radio, erdhi dita dhe më larguan pa të keq. Një jetë të tërë në këtë institucion. U futa vajzë e re dhe u largova me thinja. S’di si t’i përshkruaj ato vite pune plot vrull, dinamizëm, heshtje… Pastaj më nxorën në pension. Dola në pension, sikur isha një njeri që kalon në rrugë për herë të parë. Pa asnjë interesim nga drejtuesit, pa asnjë takim të veçantë… As u mblodh kolektivi. Dola në pension, sikur të isha një çobaneshë e fshatit, pa asnjë ceremoni. Lashë pas 31 vite punë dhe mora me vete, po aq vite heshtje dhe kush? Unë spikerja e parë e TVSH-së. Jo se isha unë. Fati e solli që isha unë, por mund të ishte dhe një tjetër e ky duhej të respektohej si njeri historik, jo si stoli individuale.

Emisioni i fundit

“Ah, kur e kujtoj, lotoj. Ishte emisioni “Muzikë për të gjithë”. Një emision që gjeti vendin e vet dhe u pëlqye nga të gjithë. Nuk e di sa vazhdoi kur ika unë, por di që ishte një ndër emisionet më të spikatur të asaj kohe. Më ndjek pas ky emision, pasi muzika është ilaç shpirtëror, është magji, është art relaksues”.

Pengu

“Pengu, pengu, pengu. Jeta jonë mbushur me pengje. Pengje nga më të ndryshmet. Ndoshta dhe nuk mund ta thosha, por më rëndon, më sëmbon, më bën shumë të spostuar. S’e di pse s’ma dhanë në 50-vjetorin e RTSH-së titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. E kanë marrë shumë vete, këngëtarë, artistë, futbollistë, po unë që hodha themelet, që dhashë lajmin e parë në televizionin e parë shqiptar nuk më takoi ky titull në atë?

S’e di… Kur mund të them që nga drejtues të RTSH më kishin përgatitur që do të merrja këtë titull atë 50-vjetor (2010). S’di pse më gënjyen! Jam shumë e ofenduar në ato ditë (loton). Besoj se e meritoj. Kurrë s’kam parë rrogën që kam marrë, kurrë skam parë akrepat e sahatit, kurrë s’kam trokitur për një problemin tim. As për shtëpi s’kam trokitur… As për pagesë jashtë orarit… Dhe ja shpërblimi. Heshtje…harresë… Unë e doja atëherë atë titull, jo tani që e kanë marrë të gjithë”.

Shoqëria e sotme shqiptare

“Ah. Shoqëria jonë… Ndryshime të pabesueshme. Shoqëritë ndryshojnë, por nuk tjetërsohen në këtë mënyrë. Sot është një shoqëri maskiliste. Femra s’ka hapësirat e duhura. Dhe në diktaturë femra ishte më e orientuar, më e respektuar. Gjithë të këqijat i sjell numri i madh i partive, kjo më shqetëson. Sa më shumë parti, aq më pak kujdes për shtetin. Partitë e shumta e shikojnë shtetin si lopë për ta mjelë, kjo është e vërteta. Shteti, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Kush do e kupton, kush nuk do, e anashkalon”.“Albanian Free Press”

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com