Nga studio e Rudina Magjistarit, moderatori njohur Blendi Fevziu ka zbuluar disa detaje që nuk diheshin për raportin e tij me dy vajzat, pengjet dhe përkujdesjen e veçantë si prind.
Blendi është një nga personat aktivë në rrjetet sociale dhe detajet nga jeta e tij si baba nuk i ka kuryer.
Me Mishel, vajzën e madhe, pengu i tij më i madh ka qenë koha, të cilën nuk e ka pasur aq shumë të favorshme sa e ka me Alis, vajzën e vogël. Por edhe atësinë në periudha të ndryshme dhe relativisht të largëta nga njëra-tjetra, e ka shijuar në mënyra të ndryshme. Me Mishelin, i fokusuar në të tjera gjëra, me Alis, më i mësuar, është fokusuar në të tjera. Siç ka rrëfyer ai edhe në intervistat e fundit, Alis është në momentin e saj më të bukur, të luajë me gjithçka, të pyesë për gjithçka dhe të ketë të gjithë vëmendjen e botës.
Po Mishel? Me të raporti është ndryshe. Natyrisht, ka kaluar prej kohësh nga baba e bijë në shokë. Mishel është pothuajse 16-vjeçare dhe prej vitesh e shoqëron të atin në udhëtimet më të largëta. Por Blendi, gjithsesi, si të gjithë baballarët në botë, nuk del dot nga hija e atit.
I ftuar sot në “Rudina”, për të rrëfyer më shumë për pasionin e tij të njohur, udhëtimet, Blendi u ndal pak edhe te raporti me të bijat. Siç tha ai, Alis nuk është bërë akoma pjesë e udhëtimeve të largëta, ndërsa Mishel, që kur ishte 10 vjeç, e ka shoqëruar. Edhe pse është një adoleshente dhe e rritur tashmë, Blendi nuk i harron porositë për kujdes në çdo gjë që bën apo edhe kërkesën e llogarisë “ku ishe?”, një nga pyetjet më të urryera të çdo brezi të ri.
Me siguri, edhe ai vet e kujton njëlloj merakun e prindërve të tij, prandaj pranon që mbetet gjithmonë konflikt brezash: “Mishel është gati 16 vjeç dhe unë e gjej veten duke i thënë ‘ki kujdes kur kalon rrugën’. Imagjinoni pak. Unë, 12 vjeç kam jetuar vetëm, e kam nisur jetën vetëm. Ajo është 16 dhe në një botë më të hapur”, – thotë Blendi duke shtuar se, megjithatë, prindërit do të jenë gjithmonë kështu – sado të rritur të jenë fëmijët, do t’i shikojnë gjithmonë si fëmijë. Ndërsa këta të fundit, asnjëherë nuk do ta kuptojnë merakun e tyre, derisa të bëhen vetë prindër.