Vetëm dy javë më parë, moderatori i njohur i “The Voice Kids” në Top Channel, tha publikisht se e kishte të vështirë të përballonte edhe një “The Voice” tjetër, kështu që kishte vendosur të hiqte dorë. Shkak për këtë ishin emocionet e forta që Ledioni, bashkë me të gjithë stafin, merrnin javë pas jave nga fëmijët. Edhe pse ka plot 8 vjet që e bën këtë dhe duket e vështirë për t’u besuar, Ledioni po heq dorë, sepse nuk mund t’i përballojë dot më emocionet .
Dhe jo më pak e emocionuar se ai ndihet edhe Miriam Cani, e cila gjithashtu, mbrëmjen e kësaj të premteje, ka kërkuar të heqë dorë nga “The Voice”.
Gjithçka që në pamje të parë të duket një detaj spektakli, në fakt nuk është kështu. Jo vetëm produksioni që merret me muaj të tërë me fëmijët, por edhe trajnerët kalojnë me konkurrentët orë të tëra në prova, ndajnë me ta copëza nga jeta e tyre private dhe, dashje pa dashje, krijojnë një miqësi që vështirë të zhbëhet nga një skualifikim.
Gjatë mbrëmjes së të premtes, ndërsa Miriamit i duhet të zgjidhte në betejat e fundit, njërin nga tre konkurrentët e saj në garë, Arseldi, Hana dhe Martina, këngëtarja e pati të vështirë të vendosë, aq sa i kërkoi produksionit të skualifikohet ajo nga “The Voice” dhe fëmijët të vijojnë garën. Më herët, tre konkurrentët e Miriamit kishin përgatitur për të edhe një surprizë me ëmbëlsira duke ia bërë asaj edhe më të vështirë vendimin.
Me natyrën emotive që e karakterizon gjithmonë dhe me emocionet e gjalla që i falin fëmijët, Miriami tha se gjithçka për të po bëhet më e vështirë: “A mund të skualifikohem unë dhe të tre të vazhdojnë garën?” – pyeti ajo Ledionin, i cili e miratoi vështirësinë e saj për të vënë gishtin vetëm te njëri konkurrent.
Po t’u shtojmë këtyre momenteve të spektaklit edhe faktin që si Ledioni, ashtu edhe Miriami janë prindër për herë të parë, doza më e lartë e emocionit mund të justifikohet…
Nga e premtja e ardhshme, The Voice Kids fillon me netët live. Po pastaj si do t’ia bëjë Miriami?