E guximshme nga ana e saj! Ajo shkruan për tematika që në shoqërinë shqiptare vështirë të thuhen me zë të lartë nëpër biseda tavolinash, apo ca më tepër në emisione dhe formate televizive. Gazetarja Zhaklin Lekatari, i thotë të gjitha në bloggun e saj tabu.al, pa doreza e frenime. Tematikat që sjell janë tejet të larmishme dhe aspak klishe.
Pikëpyetjet në lidhje me seksin, kënaqësitë, frikërat, etj ajo i trajton më së miri në bloggun ku gjithsecili prej nesh mund të marrë një përgjigje haptazi, pa pasur frikën a drojën që këtë pyetje t’ja bëj prindërve, partnerit, shoqes, kolegëve, etj. Intervista e mëposhtme zbulon shumëçka!
Zhaklin, ti njihesh ndryshe si bloggerja e parë shqiptare e seksit. Çdo të thotë kjo për ty?
Unë në fakt jam gazetare, por padyshim dhe termi bloggere seksi më përshtatet, të paktën për momentin, ndonëse do preferoja të thoja “person që promovon vlera seksuale pozitive”. Të flasësh për seksin në Shqipëri është e vështirë sepse pjesa më e madhe e atyre që e dëgjojnë mendojnë që promovon antivlera, lakuriqësi apo imoralitet o amoralitet. Ndërkohë ajo që unë bëj është padyshim e kundërta, promovimi i respektit dhe dashurisë ndaj vetes. Edukimi seksual dhe barazia gjinore, janë element që ecin së bashku dhe objektivi apo rruga që ndjek blogu Tabu. Pra, si përfundim kjo për mua do të thotë shumë, është e rëndësishme sidomos sepse nëpërmjet Tabu, shkrimeve, dhe eksperiencave që ndaj, unë fuqizohem dhe vetëdijësohem, dita ditës. Kjo shpresoj që të ndodhi më të gjithë ndjekësit e mi.
Mendon se ke thyer sadopak tabutë, në një shoqëri si e jona që priret të paragjykojë shpesh herë?
Në fakt më duket sikur gjthë jetën kam thyer tabu. Që në gjimnaz, me natyrën ekstravagante dhe moskokëçarëse që më karakterizonte, më pas në të gjithë njëzetat e mia, kur isha duke kërkuar rrugën dhe duke gjetur veten, dhe tani që jam grua me Tabu. Ndonëse Tabu nuk ka patur si qëllim fillestar thyerjen e tabuve, por krijimin e një platforme të sigurtë me informacion të filtruar mbi edukimin seksual. Por, normal që seksi është një çështje për të cilën pjesa më e madhe kanë turp apo siklet të flasin. Nga ana tjetër, të gjithë kemi lindur nga një marrëdhënie seksuale dhe duhet ta celebrojmë këtë jo paragjykojmë.
Ka pasur më shumë komente negative apo pozitive lidhur me këtë nismë tënden?
Tabu është një projekt mbi të cilin punoj, ose tentoj të jetësoj prej vitesh, që në kohën që jetoja në Kosovë. Është një projekt tek i cili besoja dhe një projekt shumë i rëndësishëm sepse ka nisur nga disa ngjarje apo situate personale. Duke qënë dhe vetë pak paragjykuese kam menduar që komente apo etiketimet negative do të ishin të shumta, por në fakt rezultoi e kundërta. Këshillat, vlerësimet, komentet pozitive, përkrahja ishin aq të mëdha, sa lanë në hijë totale të gjitha të tjerat. Nisma ka përkrahje të madhe dhe nga mosha më të mëdha apo më të pjekura. Kjo është më e rëndësishmja për mua. Vlerësimi i tyre është maksimumi.
Pse vendose të krijosh një blog të tillë, ndërkohë që shumë informacione në lidhje me seksin, pozicionet, partnerin/en mund të gjehen lehtësisht në internet, gazeta, revista, etj.
Tabu nuk është një blog ku ka informacione banale, ose këshilla cliché, “se si të na pëlqejë partneri”, apo “ pesë ushqimet që ndikojnë në aktin seksual”. Tabu është një platformë që promovon edukimin seksual, që promovon barazinë gjinore, që do të thotë të rinj që përdorin prezervativë, të rinj që nuk ballafaqohen me shtatzëni të padëshiruara apo të rinj që nuk angazhohen në marrëdhënie obsesive, pra një shoqëri më të shëndoshë. Në Tabu ka shumë shkrime personale, analiza, shkrime me informacione mjekësore të cilat rishikohen nga një gjinekologe apo ekspertë të tjerë më të cilët bashkëpunoj.Tabu nuk ka tituj banal që tërheqin vëmendje. Përkundrazi aty promovohet dashuria dhe respekti ndaj vetes, ndaj partnerit, aty promovohet sjellja dhe marrëdhënia e shëndoshë, me veten dhe të tjerët, familjen, miqtë apo shoqërinë.
Cili ka qenë shkrimi më i komentuar?
Blogu është goxha i klikuar dhe kjo gjë rritet dita ditës. Tabu ka një numër ndjekësish të konsoliduar nga shumë shtete, por kryesojnë Shqipëria, Kosova, Amerika dhe Italia. Shkrimet më të komentuara janë ato personale, ku ka pak humor, pak informacion pak analizë. “ Ata që nuk ta lëpijnë’, “Tradhtia”, ‘Trilogjia e seksit anal’ etj
Kujt i shërben blogu juaj?
Tabu i shërben të gjithëve pa dallim moshe apo krahine. Edukimi seksual apo njohja e vetes është një proçes që zgjat gjithë jetën, kështu që dhe blogu i dedikohet adoleshentëve, të rinjve, grave, burrave, të rriturve, të gjithëve. Këto janë informacione që të gjithë duhet të dimë. Ajo vajza e re, e cila ka turp dh nuk pranon trupin e saj, ai djali që mendoj që për të patur të dashur duhet të jesh plot muskuj dhe tërheqës, ai djali që ka turp të blejë prezervativë, e kështu më rradhë. Njeriu është gjithmonë në kërkim apo në përmirësim të vazhdueshëm të vetes, prandaj lexoni Tabu.
Mund të zbulojmë tematikën e radhës për të cilën je duke punuar?
Po tematika e rradhës ka të bëjë me personat intersex, ose në gjuhën mjekësore hermafroditët. Pra, të gjithë ata që në dukje kanë tiparet e një seksi por kromozome të seksit tjetër. Kjo është një temë që përpos anës biologjike prek shumë dhe identitetin gjinor dhe seksual. Është një temë delikate në të cilat duhet patur shumë kujdes dhe në përdorimin e terminologjisë. Për këtë post do të bashkëpunoj me komunitetin LGBT, në mënyrë që informacionet të jenë sa më të sakta dhe korrekte.