Duke percjelle mesazhet e presidentit turk Erdogan, e teksa theksoi se nje “Shqiperi e qendrueshme do te thote nje Turqi e forte”, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka perseritur sot edhe njehere kerkesen e vendit te tij per Shqiperine, ne luften kunder institucioneve te FETO-s.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka vizituar sot Shqipërisë në kuadër të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, ku ministri Çavuşoğlu është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, pas marrjes së çmimit ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, ku është ndalur në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, mbështetjen e shtetit turk për Shqipërinë, si dhe në aktivitetet e organizatës terroriste FETO në botë, por edhe në Shqipëri. Ministri i Jashtëm i Turqisë, ka theksuar se Turqia pret mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër organizatës terroriste FETO.
“Jam shumë i lumtur që jam në këtë shtet të bukur me rastin ndarjes së çmimeve në shkencë dhe art. Edhe më parë kam marrë tituj të tillë nga universitet në botë, por të marr një çmim nga universiteti që mban këtë emër për mua është një ndjenjë shumë e veçantë. Ne mundohemi të jemi shembull për gjithë botën me politikat tona. Ne po marrim masa për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Ballkanit. Mundohemi që të jemi afër personave të grupeve, vurnerabël, t’i ndihmojë ato, duke filluar nga pjesa e papunësisë, problemet ekonomike. Ju përcjell mesazhet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë. Shqipërinë ne e mbështesim dhe japim ndihmën tonë për Shqipërinë mike, që është anëtare e NATO-s. Ne në Shqipëri e ndjejmë veten tonë si në shtëpinë tonë”, theksoi kryediplomati i Turqisë.
Ai tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë zhvillohen në fusha të ndryshme, si në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë, duke shtuar se mundohen për të rritur bashkëpunimet në të gjitha fushat.
“Do të punojmë së bashku për rritjen e marrëdhënieve nën çatinë e NATO-s. Një nga fushat e bashkëpunimit tonë është kultura dhe arsimi. Kultura shqiptare është pjesë e kulturës turke, ashtu sikurse kultura turke është pjesë e kulturës shqiptare. Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë më origjinë shqiptare. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë shqiptarëve me institucionet turke që veprojnë në Shqipëri, siç është TIKA. Ne dëshirojmë që numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi të shtohet. Fondacioni Maarif që prej një viti që është themeluar ka filluar ta tregojë veten në fushën e arsimit. Shtetet që kanë parë fytyrën e FETO-s, pas tentativës për grusht shteti, i kanë ndërprerë marrëdhëniet me këtë organizatë. Maarif duke vepruar në këto shtete ose i ka blerë këto shkolla, i ka transferuar ose i ka marrë në dorëzim, në mënyrë që arsimi të jetë më i sigurtë. Në Kosovë këtë vit janë hapur dy shkolla nga Maarif”, u shpreh Çavuşoğlu.
– Presim mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër FETO-s –
Duke folur për tentativën për grusht shteti vitin e kaluar në Turqi, nga organizata terroriste FETO, Çavuşoğlu theksoi: “FETO është mundur të jetë pjesë e shtetit tonë dhe kanë bombarduar parlamentin. Pse i them këta? Disa shtete kanë treguar përpjekje për t’i larguar këto struktura. Ne do të luftojmë deri në fund me këtë organizatë terroriste, prandaj duam t’i shikojmë vendet afër nesh. E dimë që institucionet e FETO-s kanë aktivitetet e tyre në Shqipëri, dhe shqiptarët u kanë besua atyre edukimin fëmijëve e tyre. Pikëpyetja ime është. Pse futen në sistemin edukimit, marrin në shkollë nxënëse dhe fëmijë të një niveli elitë? Pastaj vazhdojnë të futen në struktura siç kanë bërë në Turqi, si në drejtësi, polici, ushtri. Atëherë duhet ta vlerësojmë shumë mirë që e njëjta situatë ekziston në Shqipëri, ku duhet të marrim masa konkrete tani që mos jetë vonë nesër. Prandaj presim mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër kësaj organizate. Populli turk do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve në çdo fushë.”
Në fund të ceremonisë organizuar nga Universitetit “Mehmet Akif Ersoy”, në bashkëpunim me Fondacionin Maarif dhe Universitetin e Tiranës, u ndanë çmimet “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, për personalitete në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës. Përveç presidentit të Shqipërisë, në ceremoni mbajtën fjalime përshëndetëse edhe rektori i Universitetit “Mehmet Akif Ersoy”, Adem Korkmaz, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, si dhe të ftuar të tjerë.