[sgmb id=”1″]
Regjisorja Inis Gjoni do të ketë një përballje të re me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Gjykatën e Lartë për videon intime të saj me Arjan Selimin, që u bë publike vite më parë.
Regjisorja Inis Gjoni do të ketë një përballje të re me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Gjykatën e Lartë për videon intime të saj me Arjan Selimin, që u bë publike vite më parë
Kjo betejë ligjore, për të dytën herë në Gjykatën e Lartë, ka në thelb padinë e Gjonit kundër Prokurorisë, ku kërkon 200 mijë dollarë amerikanë dëmshpërblim për publikimin e një videoje intime të saj në vitin 2004.
Në këtë video, ajo shfaqej me partnerin e saj të ndjerë, Arjan Selimi, i vrarë në vitin 2011. Materiali filmik me përmbajtje erotike i regjistruar nga Selimi në një ambient privat u përhap masivisht përmes teknologjisë dixhitale ndër përdoruesit e aparateve celularë përmes teknologjisë së kohës “bluetooth”, “infrared”, si dhe e-mail.
Publikimi i videos ndodhi kur telefoni i tij ishte i sekuestruar si provë materiale nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda për llogari të hetimit të dosjes “Kompas”. Për shkak të profilit publik të Gjonit në atë kohë, si ish-balerinë dhe moderatore e suksesshme, ngjarja u trajtua gjerësisht në median e shkruar dhe elektronike.
REKURSI
Kërkesa e regjisores Gjoni për dëmshpërblim ka mbërritur së fundmi në Gjykatën e Lartë si një rekurs i bërë nga ana e regjisores ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit Tiranë. Kjo e fundit, në korrik të vitit 2015, rrëzoi pretendimet e regjisores.
Me këtë vendim nuk ka qenë dakord regjisorja Gjoni, e cila kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe pranimin e padisë së saj. Rekursi i saj në Gjykatën e Lartë është regjistruar më 22 maj 2017, ku palë paditëse është Inis Gjoni, palë e paditur Prokuroria për Krimet e Rënda dhe palë e tretë Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave, Dega e Thesarit.
“Shpërblim i dëmit, nga ana e palës së paditur për shkak të shpërndarjes dhe publikimit të informacioneve që cenojnë jetën private të paditëses dhe njëkohësisht fyejnë nderin dhe dinjitetin e saj në shumën 200.000 USD”, thuhej në objektin e padisë. Shorti i hedhur në këtë gjykatë ka përcaktuar gjyqtarin Medi Bici si relator i Kolegjit Penal të kësaj çështjeje. Burime zyrtare pranë Gjykatës pohuan se ende nuk është përcaktuar një datë për nisjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.
“KALVARI” GJYQESOR
Në më shumë se një dekadë përballjesh gjyqësore për këtë çështje, regjisorja Gjoni ka qenë të paktën tri herë palë e humbur, ku dy nga këto vendime kanë qenë të formës së prerë. Referuar të dhënave zyrtare më 20 prill 2007, Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë e regjisores Gjoni si të pambështetur në prova dhe në ligj.
Ky vendim është lënë në fuqi më pas nga Apeli i Tiranës një vit më vonë, në prill 2008. Duke pretenduar të kundërtën, regjisorja e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila në shkurt 2014 prishi vendimin e Apelit dhe e ktheu dosjen po në atë gjykatë për rigjykim me një trupë tjetër gjyqësore.
Në përfundim të rigjykimit, në korrik 2015, Apeli la të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë për rrëzimin e padisë. Është pikërisht ky vendim, për të cilin Gjoni ka depozituar tashmë rekurs, për të dytën herë radhazi në Gjykatën e Lartë.