[sgmb id=”1″]
Gjashtë drejtues automjetesh janë arrestuar nga policia pasi kanë tentuar të korruptojnë efektivët rrugorë kur i kanë konstatuar në shkelje.
Në zbatim të planit të masave gjatë fundjavës, policia rrugore e Tiranës ka kryer kontrolle të shumta, ku nga shoferët në shkelje, disa kanë rezultuar në gjendje të dehur, dhe të tjerë të pa pajisur me lejen e drejtimit.
Një shofer që drejtonte makinën në gjendje të dehur, pasi ka bërë testin e alkoolit i ka futur mes dokumenteve 50 euro me qëllim që të korruptojë policin për të mos e çuar në Komision, aty ku merret vendimi për ndëshkimin e shkeljes së bërë.
Polici ka thërritur në radio patrullën për ta shoqëruar shoferin ën komisariat.
Por veprimi i shoferit të dehur, për ti dhënë lekët duket se e ka irrituar edhe më shumë policin.
“Nuk e kontrolleve këtë letrën”, thotë shoferi, duke i “gjetur” minuse në punë policit, vetëm që t’i jepte atij lekët për ta korruptuar. 50 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, e futur brenda dokumenteve të kolaudimit.
Ndërkohë një shoferë i ndaluar për shkelje të semaforit, ka tentuar të korruptojë policin rrugor me 2 mijë lekë të rinj.
“Të lutem të jap një kafe se jam dhe jabanxhi, jam nga Burreli”, shprehet ai në videon e filmuar nga kamerat e sigurisë që efektivët rrugorë kanë në trup.
“Nuk lejohet të më japësh kafe o çun”, përgjigjet polici. Por megjithatë shoferi i fut lekët në mes të dokumenteve, duke përfunduar në pranga.
Policia thotë se gjatë kontrolleve janë pezulluar 52 Leje Drejtimi, janë vendosur gjithsej 1301 masa administrative, si dhe janë ndaluar me masë administrative 6 mjete autobot që shpërndanin ujë në qytetin e Tiranës
Janë vendosur gjithsej 1301 masa administrative,nga të cilat:
200 për mospërdorim të rripit të sigurimit,
439 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit,
244 për shpejtësi tej normave të lejuara,
12 për shkelje të semaforit,
46 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse, si dhe pjesa tjetër për shkelje të ndryshme.
Janë ndaluar me masë administrative 6 mjete autobot që shpërndanin ujë në qytetin e Tiranës.
Policia Rrugore e Tiranës edhe në ditët në vijim do vijojë punën për parandalimin dhe ndëshkimin e çdo shkelësi të Kodit Rrugor me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.